U arrestua vitin e kaluar për mashtrimet me villa, Granit Gojanit i vazhdohet paraburgimi deri në korrik - NACIONALE

U arrestua vitin e kaluar për mashtrimet me villa, Granit Gojanit i vazhdohet paraburgimi deri në korrik

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale, në gusht të vitit të kaluar, kishte filluar publikimin e rrëfimeve të qytetarëve të cilët treguan se si ishin mashtruar nga kompania G&G Exclusive, me pronar Granit Gojani, për ndërtimin e villave prej druri të cilat nuk u përfunduan asnjëherë.

Vetëm pas publikimit të këtyre rrëfimeve, organet e rendit filluan të veprojnë.

Granit Gojani u arrestua dhe iu bllokua pasuria në vlerë prej 1 milion euro, nën dyshimin se i njëjti është pasuruar në mënyrë të paligjshme.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë është bërë e ditur se Granit Gojanit i është vazhduar masa e paraburgimit. Ai do të mbetet në paraburgim deri në korrik të vitit 2025.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.G. Kështu, ndaj të njëjtit është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 3 (tre) muajsh, e cila do të llogaritet nga data 11.04.2025 deri më 10.07.2025” - thuhet në përgjigje.

Burimet e Gazetës Nacionale brenda prokurorisë kanë bërë të ditur se deri më tani janë paraqitur 115 qytetarë, të cilët dyshohet se janë mashtruar nga pronari në fjalë.

Përveç kësaj, Gojani dyshohet se ka kryer edhe veprën penale të shmangies nga tatimi.

Rasti vazhdon të jetë nën hetim dhe ndodhet në fazën përfundimtare.

Lajme të ngjashme