Përgjimi i ri: Dyshohet se ndihmëstrajnerja e Kosovës U19 u përfshi në skandalin e tentim-kurdisjes
Është thelluar skandali i tentim-kurdisjes së derbit mes dy klubeve më të mëdha dhe rivale në futbollin e grave në Kosovë, Hajvalisë dhe Mitrovicës, pasi një futbolliste e Hajvalisë pretendon se në të është përfshirë edhe trajnerja e këtij klubi, Suada Jashari, e cila kryen edhe punën e ndihmëstrajneres në ekipin kombëtar U19 të vashave të Kosovës.
Mitrovica e akuzon Hajvalinë se tentoi ta blinte lojën përmes lojtareve të saj në mars, e cila mbaroi baras 1:1.
Hajvalia i mohon akuzat.
Rasti po hetohet nga autoritetet shtetërore, si dhe nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Në një audio-incizim të ri që Gazeta Nacionale e ka siguruar nga burimet e veta, futbollistja e Hajvalisë, që dyshohet se u përdor si ndërmjetësuese për t'i bindur rivalet e veta nga Mitrovica ta shesin lojën, e përmend për herë të parë trajneren e vet të cilës i referohet me nofkën "Suki".
Suada Jashari ka qenë futbolliste dhe trajnere e Mitrovicës në të kaluarën dhe futbollistja e këtij klubi dëgjohet në audio-incizim duke shprehur zhgënjimin e madh për përfshirjen e dyshuar të saj në këtë skandal.
Jashari e ka mohuar të ketë qenë e përfshirë, duke pretenduar se audio-incizimi është tendencioz.