Pas raportimeve dyvjeçare të gazetarit Oqean Dermaku, policia shpall në kërkim Edon Bytyqin - NACIONALE

Pas raportimeve dyvjeçare të gazetarit Oqean Dermaku, policia shpall në kërkim Edon Bytyqin

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas raportimeve në Gazetën Nacionale, nga gazetari Oqean Dermaku, sot Policia e Kosovës ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim Edon (Hisen) Bytyqin.

I njëjti është raportuar në stacionin policor në Mitrovicën e Jugut për dy raste të mashtrimit në rajonin e Mitrovicës.

Hetuesit policor, pas hetimeve të zhvilluara kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, i cili dyshohet se më herët ka kryer së paku edhe 14 vepra të tjera penale të mashtrimit në Republikën e Kosovës.

Dyshimi bazohet në prova se i dyshuari me anë të paraqitjes së rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke përdorur emra të personave publik dhe zyrtare, kishte vënë në lajthitje qytetarët duke i mashtruar që t’i dërgojnë para përmes institucioneve të transfereve financiare andaj hetuesit policor kanë paraqitur Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ndaj të dyshuarit në kërkim: Edon (Hisen) Bytyqi, lindur më 26.07.1990, në fshatin Arllat, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e policisë.

Edon Bytyqi aktualisht dyshohet se personi ndodhet aktualisht në Republikën e Bosnjë e Hercegovinës andaj Kallëzimi Penal ndaj tij është paraqitur në mungesë.

Gazetari i Nacionale, Oqean Dërmaku, kishte raportuar disa herë rreth rasteve të mashtrimit që dyshohen se janë kryer nga Edon Bytyqi.

Ai paraqitej tek qytetarët e Republikës së Kosovës duke shfrytëzuar emra të ndryshëm, si biznesmenë vendor, hoxhallarë, ish-ushtarë të UÇK-së, bamirës etj., ndërsa së fundmi kishte mashtruar edhe disa qytetarë në Mitrovicë, duke iu paraqitur në emër të zv.drejtorit të policisë në veri, Veton Elshani.

Në një rast që kishte hulumtuar Gazeta Nacionale, Edon Bytyqi ishte paraqitur si bamirës, kinse dëshiron të dhurojë një automjet për një xhami.

Edhe kur Bytyqi ishte paraqitur në emrin e Veton Elshanit, gazetari Oqean Dërmaku kishte deklaruar se i njëjti është Edon Bytyqi me vendndodhje në Bosnje e Hercegovinë, pasi që i njëjti identifikohej nga zëri dhe metoda e mashtrimit.

Ndiqeni videon më poshtë:

Lajme të ngjashme