Një qytet i bllokuar në rrugë: Eksperimenti i Ramës i vështirëson jetën e qytetarëve dhe punën e institucioneve
Testimi i radhës i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjete ka nxitur reagime të shumta.
Kolonat dhe kaosi i krijuar nëpër rrugë të Prishtinës ka bërë që të drejtohen shumë kritika nga qytetarët dhe opozita ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Ata e kanë vlerësuar si të gabueshëm veprimin e kryetarit të komunës, ndërsa ky i fundit ka pranuar sot që është njëri nga më të urryerit në kryeqytet.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është shprehur i vetëdijshëm për nervozizmin që ua ka shkaktuar qytetarëve.
“Sot ndoshta jam njeriu më i urryer në Prishtinë”, tha Rama gjatë një tubimi në kuadër të festivalit “Manifesta”.
Ai ka thënë se sot do të kuptojnë më mirë, se cilat pika janë problematike në trafik.
“Kjo na tregon pikat e ndryshme ku janë pika që krijojnë probleme, pika që duhet të ndryshohen, me u transformuar për të krijuar një komunikim më të lirshëm për kryeqytetin, për këtë arsye normal që është dashur të testohet edhe gjatë javës. Gjatë ditës së sotme, e premtja që shumë herë është me e ngarkuara për ta shikuar ku kemi pasur probleme më të shumta, sot kemi informata të shumta prej të gjitha pikave të kryeqytetit, jemi duke “incinzuar” edhe me dron, kemi edhe ekipe në terren duke marrë informata se si po ecë trafiku dhe ku janë problemet”, është shprehur Rama.
Kolonat e gjata nëpër rrugë të Prishtinës kanë ndikuar edhe në mbarëvajtjen e punës në shumë institucione.

Bllokimi i rrugëve e ka vështirësuar edhe punën e Kuvendit të Kosovës .
Sot ishte planifikuar të mbahej mbledhja e njërit prej komisioneve hetimore për energji, por mbledhja është shtyrë.
Kjo ndodhi pasi deputetët e pozitës nuk arritën në Kuvend shkaku i kolonave të krijuara në Prishtinë.
Kryetari i këtij Komisionit, Driton Selmanaj, ka thënë se ardhja e deputetëve në kohë është pamundësuar shkaku i tollovisë së krijuar në kryeqytet, pasi komuna e ka filluar testimin që një pjesë e rrugëve të bëhen njëkahore.
Opozita e kritikon eksperimentin e Ramës
Eksperimenti i kryeqytetit për shndërrimin e të gjithë unazës qendrore në qarkore njëkahëshe për automjetet është kritikuar edhe nga partitë opozitare.
Aktivisti i LV-së, Avni Zogiani, ka ironizuar me këtë veprim të komunës, duke thënë se një gjë të tillë mund të bëjë vetëm dikush që vjen nga Londra.
“Eksperiment interesant ky i Komunës së Prishtinës me trafik... qysh iu ka ra në mend se! Veç kur vjen prej Londrës njeri mundet me kanë kaq i kthjellet e kreativ!”- ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe sekretari i AAK-së, Muharrem Nitaj, i ka kritikuar veprimet e komunës.
“Një qytet i bllokuar në rrugë! Ju që po bëni eksperimente me unazë njedrejtimeshe ne trafik, dilni kqyrni çka keni ba he ju plaçin te dytë!”- ka shkruar ai.
Gazetari Adriatik Kelmendi ka thënë se testimi është dashur të bëhet ditëve të fundjavës.
“Eksperimentet e qarkullimit të veturave në qytet NUK do të duhej të bëheshin në ditë pune. Eksperimentet e qarkullimit të veturave në qytet NUK do të duhej të bëheshin në kohën kur çmimi i naftës është në stratosferë. Eksperimentet e qarkullimit të veturave në qytet NUK do të duhej të bëheshin sidomos ditën e premte kur shumë qytetarë udhëtojnë. Vetëm nga vonesat që janë shkaktuar në vende pune, në shkuarje në spitale/ambulanca, në shkolla, në aeroport etj., nga djegia e derivateve, nga ndotja e ajrit duke pasur numër shumë të madh të veturave në lëvizje njëkohësisht etj. humbjet financiare dhe shëndetësore janë tepër të mëdha”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNj) ka reaguar ndaj eksperimentit të komunës së Prishtinës për shndërrimin e unazës së madhe në një rrugë njëdrejtimëshe.
Përmes një reagimi për media, ky këshill ka vlerësuar se të bësh eksperiment në ditën më të ngarkuar të javës (dita e premte) nuk mund të interpretohet ndryshe përveç se një veprim jashtë çdo logjike.
“Prishtina, edhe ashtu këto rrugë që alkimistët e injorancës po i bllokojnë thuaja tërësisht, i ka dy arteriet kryesore që e bartin peshën e trafikut në qytet prandaj është papërgjegjësi e madhe t’i nënshtroni qytetarët një stresi të tillë duke ua kufizuar maksimalisht lirinë e lëvizjes dhe duke shkaktuar çrregullime në të gjitha segmentet e jetës. Paramendoni nëse dikush, për shkaqe shëndetësore ka nevojë që të shkojë urgjentisht te mjeku apo që autoambulanca e ndihmës së shpejtë duhet të shkojë në një adresë ku një i sëmurë ka nevojë për intervenim urgjent dhe ku jeta e tij matet me minuta e jo me orë? Kush e merr përgjegjësinë për këtë?!”, është thënë në reagim.
Komuna e Prishtinë ka njoftuar se testimi do të zgjatë deri të dielën, më 30 tetor.
Sipas komunës, qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve: Rruga “Agim Ramadani”, që nga semaforët pranë mensës së studentëve, e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës; Rruga “UÇK”, nga Parlamenti e deri tek ish-Kino Rinia; Rruga “Migjeni”, deri te ndërtesa e ish-OSBE-së; Rruga “Luan Haradinaj”, deri te semaforët pranë Bankës Qendrore; Rruga “Ukshin Hoti”; Rruga “Robert Doll”.
“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kryeqytetit të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor”- është thënë në njoftimin e komunës.

