Java në gjykata: Mashtrimi që nuk zgjati, rikonstruktimi që s’u bë e Milaim Zeka - NACIONALE

Java në gjykata: Mashtrimi që nuk zgjati, rikonstruktimi që s’u bë e Milaim Zeka

2 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Mashtrimi që nuk zgjati

Një grua në Gjilan kishte raportuar në Polici se u dhunua e u plaçkit në sy të djalit të saj. Ky lajm u përhap shpejt e zgjoi shqetësim të madh në mbarë Kosovën.

Kur doli para gjykatës, gruaja tha se në fakt krejt rastin e kishte inskenuar, për shkak të varfërisë, e me qëllim që dikush t’i dal në ndihmë financiare.

Për këtë Gjykata Themelore në Gjilan e dënoi atë me 7 muaj burgim me kusht.

““Du me ju kërku falje. Unë kur e kam ba qeta nuk jam kanë mirë. I kam ra pishman ma. E kam ba. 3 dit përpara jam kanë e smut. Jam pendu shumë. Prej fukallarakut e kam ba këtë. Vec ju kërkoj falje." - ka thënë ajo.

Çka kishte thënë Prokluroria për rastin?

Në një komunikatë të Prokurorisë Themelore në Gjilan, thuhej:

“E dyshuara e lartshënuar më datë 25 Maj 2024, rreth orës 00:56, ka raportuar se derisa kishte qenë duke ecur tek varrezat e qytetit në Gjilan së bashku me djalin e saj, ishte ndaluar nga dy persona të maskuar, të cilët nën kërcenim e kishin tërhequr brenda rrethojës së varrezave, ku pastaj sipas saj e kishin dhunuar seksualisht dhe ia kishin grabitur me forcë stolitë e arit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim të plotë me Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, ku bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe e njëjta ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici”.

Jeton Temaj

Një grua tjetër me emrin Kumrije Temaj tash e sa kohë po kërkon drejtësi për djalin e saj, Jeton Temaj i cili vdiq në rrethana të dyshimta. Nuk dihet nëse ishte aksident, apo u vra.

Për t’i parë rrethanat se si ndodhi rasti, gjykata vendosi që të rikonstruktohet ngjarja, por keqkuptimet filluan menjëherë. Ky rikonstruktim dështoi.

Nacionale po vazhdon ta përcjell nga afër zhvillimin për këtë rast, ku gjykimi po zhvillohet për ‘Rrezikim të Trafikut Publik’.

Kjo përkundër se ekspertiza nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar se Temaj kishte vdekur nga plagët e mjetit të mprehtë.

Milaim Zeka

Para gjykatës këtë javë doli edhe gazetari Milaim Zeka. Ai akuzohet se kërcënoi prokurorin Afrim Shefkiu. Prokurori para gjykatës tha se u kërcënua nga Zeka në një emission televiziv.

Por Zeka s’e panoi fajësinë, duke thënë se në deklaratën e tij se “do të merrem vesh me prokurorët e mi”, e ka pasur fjalën për ish-Presindentin Hashim Thaçi e ish Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi.

Lajme të ngjashme