Intervistë | Dardan Molliqaj flet për raportet Kurti-Konjufca, ‘opozitën e dobët’ dhe sondazhet - NACIONALE

Intervistë | Dardan Molliqaj flet për raportet Kurti-Konjufca, ‘opozitën e dobët’ dhe sondazhet

1 vit më parë

nga Besian Beha

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj në një intervistë për gazetën Nacionale, ka folur për anulimin e vizitës nga kryetarja e Gjykatës Speciale, opozitën që e quajti të pafuqishme, raportet ndërmjet Kurtit dhe Konjufcës si dhe përplasjet e tjera të brendshme në Vetëvendosje.

Në këtë intervistë, Molliqaj ka thënë se raportet Kurti-Konjufca janë si një martesë, e mbështetur në interesin për pushtet.

“Aty funksionon një martesë e interesave oportuniste e dyanshme: Kurti nuk është që e vlerëson donë apo respekton kryetarin Konjufca, asnjë moment nuk ka ndodhur kjo. Edhe Konjufca me këdo që rrinë flet qysh nuk po pajtohet, njërit i duhet për vota, tjetrit për pozita shtetërore sepse i pëlqejnë”, ka thënë Molliqaj për gazetën Nacionale.

“Nuk ia vlen me diskutu e patë servilizimin e kryetarit të Kuvendit, ai me një fjali e kreu krejt fjalimin. Ajo fjali ishte ‘krejt çka ka mbërri vjen falë liderit tonë vizionar të dijshëm’. Fjalime të tilla gjen për Enver Hoxhën, Stalinin, Titon. Kjo është e frikshme”, tha më tutje Dardan Molliqaj.

Ai foli edhe për pakënaqësitë në Vetëvendosje, nga grupi që ishte kundër Kodit Civil.

“Kurti ka pa se ka ardh një moment që ky grup nuk është instrument vetëm për vota, dhe po do pak me ua tregu dhëmbët. Nuk do t’i kafshojë. Kjo martesë e dëmshme për Kosovën do të vazhdojë për një kohë më të gjatë”, theksoi kryetari i PSD-së për Nacionalen.

Kritika opozitës

Dardan Molliqaj pati Kritika për opozitën. Tha se ata kënaqen me rezultatet e sondazheve që e vendosin Kurtin më pak se 50%.

“Kemi pasur një takim në filim të vitit, kam kalu mirë, por nuk dakordohemi për mënyrën e veprimit. Mendoj që problem i opozitës është që ata gëzohen kur marrin ndonjë sondazh që Albin Kurtin nuk e qet 50%, kjo është ambicie shumë e ulët”, tha Molliqaj.

Ai vlerësoi se opozita nuk ka interesim ta rrëzojë qeverinë Kurti II.

“Kritika për këtë pjesë, lidhet me opozitën. Ata nuk po dojnë me rrëzu qeverinë, ata po mendojnë që qeveria e rrëzon veten, këto janë dëshira”, tha Molliqaj.

Duke komentuar sondazhet, Molliqaj tha se PSD-ja po rritet në përditshmëri. Ai bëri të ditur se në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato mbahen, partia që drejton do t’i hyjë garës.

“Nuk e kam pa sondazhin. Nuk besoj që ka devijim. PSD-ja ka hendek të madh mes vlerësimit dhe simpatisë dhe numrit të mbështetësve që duhet të jenë vota. Më duket dhe jam i bindur që kjo simpati e madhe e cila për çdo ditë e javë po rritet, është çështje kohe kur do të kthehet në mbështetje”

“Jemi tu punu përditë, jemi të bindur që trendi është pozitiv. Është vendim i kryer tashmë në momentin që janë kryer zgjedhjet e fundit, ne kemi marrë vendim që kurdo që mbahen zgjedhjet jemi pjesë e garës”, deklaroi Dardan Molliqaj.

Lajme të ngjashme