Dhjetëra udhëtime drejt Beogradit duke kërkuar drejtësi për familjarët e masakruar - NACIONALE

Dhjetëra udhëtime drejt Beogradit duke kërkuar drejtësi për familjarët e masakruar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Për 6 vjet, dhjetëra udhëtime e qindra kilometra ka bërë Bekim Gashi duke shkuar në Beograd.

Çdo muaj, ai shkonte në gjykatë në kryeqytetin serb për të kërkuar drejtësi për familjarët e tij që u vranë më 25 mars të vitit 1999.

“Familjarët tonë prej asaj masakre, 17 ende mungojnë. Asnjë moment nuk jemi të qetë, tash e 24 vjet nuk kemi asnjë informatë ku i kemi familjarët tanë”, fillon rrëfimin Bekim Gashi.

Disa orë pas bombardimeve të NATO-s, më 25 më mars të vitit 1999, forcat serbe vranë 30 persona në Tërnje të Suharekës.

Në këtë masakër atij iu vra nëna dhe katër motrat. Trupat e tyre ende nuk janë gjetur.

Së fundi, Kosova dhe Serbia u pajtuan për dokumentin për të pagjeturit. Por, Bekim Gashi nuk pret shumë as prej kësaj marrëveshje, nëse sipas tij, nuk ka presion ndërkombëtar mbi Serbinë.

“Unë realisht nuk pres prej asnjë qeverie, as prej qeverisë Kurti, as prej qeverive të kaluara, nëse nuk ka presion ndërkombëtar ndaj Serbisë që t’i zbardhë fatin e personave të pagjetur, nuk besoj që ka diçka. Qeveritë po japin vetëm fjalë. kryesorja është të gjenden trupat, kërkim falja është më e pakta që duhet të bëjë Serbia”, thotë ai.

“Duke u nisur nga praktikat e mëhershme, marrëveshjet që ka pasur Kosova dhe Serbia deri tash, nuk di sa do të jetë e realizueshme kjo marrëveshje. Normalisht që është një hap shumë i mirë që temë e bisedimeve ndërmjet dy vendeve të jetë marrëveshja për personat e pagjetur dhe të zhvendosur me dhunë. Por duke e ditur që Serbia sa ka zbatuar asnjë marrëveshje deri tash, shpresat janë shumë të vogla”, shton Gashi.

Nga viti 2013 deri më 2019, Bekim Gashi ka qenë 50 herë në gjykatë në Beograd.

Pas tërë këtyre viteve në kërkim të drejtësisë, u dënua vetëm një person për krimet e kryera nga civilëve në fshatin Tërnje.

“Për çdo muaj ka qenë e planifikuar nga një seancë. Në vend të që të planifikoj pushim vjetor, kam planifikuar të shkoj në Beograd. Procesi i familjes time mund të them se është i dështuar plotësisht. Ka nisur më 2013 dhe ka përfunduar më 2019 dhe në fund rezultati ka qenë baraz me zero. Për 31 të vrarë është dënuar vetëm një person, komplet zinxhiri komandues i ushtrisë është liruar, dhe personi i dënuar nuk ka vuajtur dënimin”, rrëfen ai.

“Unë si person, kam arritur që të bind gjykatën dhe Serbia ta pranojë që ka bërë një krim dhe është regjistruar diku që ajo masakër është kryer”, përfundon rrëfimin për Nacionalen Bekim Gashi, duke shpresuar që një ditë t’i gjejë trupat e nënës dhe katër motrave.

Lajme të ngjashme