Çfarë është koncepti i ‘shpirtit binjak’ dhe a mund të jemi të lumtur vetëm?
Sipas mitologjisë greke Zeusi (Zoti i bubullimës), nga xhelozia i ka ndarë njerëzit në dysh. Rrjedhimisht legjenda thotë që njerëzit kalojnë vite duke tentuar ta gjejnë ‘gjysmën tjetër’ apo ‘shpirtin binjak’. Në momentin që ‘gjysmat takohen’ ata sipas mitologjisë nuk kanë nevojë as të flasin. Kjo pasi ata gjejnë veten dhe bëhen të plotë!
Autori britanik, Alain de Botton, ironizon me konceptin e ‘shpirtit binjak’ , duke thënë që përveç mitologjisë greke, idenë mbi dashurinë na kanë shkatërruar edhe romantikët.
“Është një kult i romantizmit. Filloi në shekullin e XVIII-të, ku të gjithëve iu tha që çdo njeri e ka një shpirt binjak që do i shërojë ata nga vetmia”, thotë Botton në një fjalim në Youtube që është i publikuar nga kanali i tij, The School of Life.
Me këtë ide mbi ‘gjysmën tjetër’ rritemi duke besuar që bëhemi të plotë, vetëm kur e takojmë një person tjetër. Sa ndikon kjo gjë në nënvetëdijen tonë, që të mos mjaftohemi me vetën dhe me çdo kusht të tentojmë ta gjejmë ‘gjysmën tjetër’? Sa ndikon kjo që të qëndrojmë në një lidhje romantike, pavarësisht çmimit? Cilat janë limtet që një lidhje duhet t’i ketë? Sa e njohim vetëm kur gjithmonë jemi në kërkim të një personi tjetër?
Në episodin e dytë të videocastit TOK me Donika Gashin, flitet pikërisht për këtë temë. Me psikologen e çifteve, Lirie Lokaj, tentohet t’u jepet përgjigje pyetjeve që lidhen me ‘shpirtin binjak’ dhe sa e (jo) e shëndetshme është kjo ide. Kurse në pjesën e dytë e ftuar është ndërmarrësja nga Tirana, Arba Gramo, e cila është e divorcuar dhe flet për fazën e rigjetjes së vetës, pas ndarjes.