Buzhala e quan Kurtin “Baron të Zajednicës”: Po i kap flokët e veta për të dalë nga balta ku është rrasë deri në fyt
Gazetari Berat Buzhala ka publikuar episodin e ri të “Ditarit të Buzhalës”, në të cilin ka komentuar zhvillimet e fundit rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Më saktë, Buzhala ka rikthyer në vëmendjen e njerëzve qëndrimet e moçme të Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, rreth Asociacionit, që dikur e quante me plot gojë “Zajednicë”.
Që në hyrje të interepretimit të tij, Buzhala deklaron se gënjeshtra dhe demagogjia nuk duhet të kalojë, ngase bëhet praktikë e rrezikshme për të ardhmen.
“Nuk duhet me kalu gënjeshtra, nuk duhet me kalu demagogjia, sepse shndërrohet në precedan të rrezikshëm për të ardhmen, sepse nëse sot nuk e ndëshkojmë, nëse sot nuk e ndalim një gënjeshtër 15 vjeçare, atëherë rrezikojmë që pas pak kohe me ardhë një mashtrues tjetër në pushtet, sepse është një praktikë që po kalojka.” – deklaroi gazetari Buzhala.
Gazetari i Nacionales tregon saktë se për çka e ka fjalën.
“E kam fjalën për Zajednicën.” – thkeson Buzhala.
Në “Ditarin e Buzhalës”, që u botua në faqen e Nacionales në Facebook, shfaqen pesë video të vjetra të Kurtit. Në videot, që janë nga viti 2013 deri në ditët tona, shpërfaqen qëndrimet e vjetra të Kurtit, që tashmë nuk ekzistojnë më, dhe qëndrimet e ndryshuara radikalisht të Kurtit rreth Asociacionit, ish-Zajednicës.
“Janë pesë video, në hark të ndryshëm kohor, ku për krye protagonist e kanë kryemashtruesin, Albin Kurtin, i cili ka shpallur njerëz tradhtar, i cili i ka mbledh 200 mijë nënshkrime, me e ndal Zajednicën, ka gjujtë gaz lotsjellës, nuk ka lënë gjë pa bë.” – tregon Buzhala, i cili e shtron një pyetje retorike.
“Për çka? Për me ardh në pushtet me bo vet?” – pyet Buzhala.