Akil Gjakova në 'fund të pusit': Çka ndodh tash me karrierën e tij prej sportisti kulmor? - NACIONALE

Akil Gjakova në 'fund të pusit': Çka ndodh tash me karrierën e tij prej sportisti kulmor?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Prej vitit 2011, emrin Akil Gjakova e kemi dëgjuar të shqiptuar krahas superyjeve tona si Majlinda Kelmendi e Distria Krasniqi. Prej prillit, emri i tij është mes të dyshuarve për dhunë ndaj grave. Një rënie më e keqe se imagjinata e secilit prej nesh.

Çka ndodhi me Akil Gjakovën?

62 medalje të ndryshme të fituara në sportin e xhudos. 6 prej këtyre medaljeve ishin të arta. 28-vjeçari po përgatitej që të shkonte në Lojërat Olimpike 2024 që zhvillohen në Paris. Dhe, të gjithë ishim me shpresë se këto përgatitje do të shkonin mirë e do të na zbardhej fytyra përsëri pas Olimpiadës së 2016-s nga Majlinda Kelmendi.

Por, më 13 prill Prokuroria papritmas kërkoi arrestimin e Akil Gjakovës që dyshohet për veprën penale “dhunë në familje”.

Dje, e martë 16 prill, ai bile u shpall edhe në kërkim nga Policia e Kosovës që kërkonte prej qytetarëve t’i lajmëronin nëse e shihnin diku. Pra njëlloj si kriminelët e rëndomtë kur i kërkojnë. Në këtë derexhe ra Akili. Por, edhe më keq ra Federata e Xhudos.

Me anë të një reagimi, ata jo që nuk u distancuan nga xhudisti derisa të zbardhej rasti por madje kërkuan – paramendojeni – që të i “njollosej emri”. Në anën tjetër, e kemi gruan e Akilit që ka bërë pretendime absolutisht tmerruese në emër të tij. Pra, gruaja e tij e ka lajmëruar në Polici. Jo dikush tjetër. E Federata e Xhudos e pa të arsyeshme që të kërkonte “të mos i njollosej emri”.

Se çka do të ndodh tutje, nuk e dimë. Kodi Penal ka dënime konkrete për veprat penale në fjalë. Sidoqoftë, ana tjetër e historisë është më komplekse. Praktikisht, jemi dënuar të gjithë. Karriera e Akil Gjakovës është – thënë më së buti – në pikëpyetje... nëse tashmë veçse nuk ka marrë pikëçuditëse. FUND!

Lajme të ngjashme