A duhet të bleni arka fiskale? Bizneset nuk dinë si të veprojnë pas vendimit të Hekuran Muratit
Ministri në detyrë, Hekuran Murati, zgjodhi që në ditën e dorëheqjes, të nënshkruajë një Udhëzim të ri Administrativ rreth arkave fiskale.
Ky Udhëzim Administrativ, parashihte kalimin e sistemit të arkave fiskale në sistem dixhital, pra prej pajisjeve harduerike, të kalojnë në pajisje softuerike.
Për ta thjeshtëzuar, me sistemin dixhital pritet që bizneset në vend të arkave fiskale si pajisje fizike, të kenë vetëm një kompjuter dhe një printer për shtypjen e kuponave fiskal.
Projekti që mendohet të lehtësojë punën e bizneseve, në fakt i ka vënë bizneset në udhëkryq dhe krejt kjo për shkak të mungesës së transparencës nga Ministria e Financave.
Kjo pasi që Ministria e Financave, në ditën kur ka hyrë në fuqi Udhëzimi i ri Administrativ, më 15 prill të këtij viti, iu dha bizneseve të reja ose atyre që nuk kanë sistem fiskalizimi afat prej 60 ditësh, për të mos blerë pajisje të reja të arkave fiskale, pasi që pritej që të ndryshonte sistemi dhe të kalonte në atë dixhital.
Tash që jemi disa muaj më vonë nga Udhëzimi i ri Administrativ, bizneset nuk dinë si të veprojnë tutje, të blejnë arka fiskale apo të presin sistemin dixhital? Në anën tjetër, inspektorët e ATK-së sipas asaj që ka mësuar Gazeta Nacionale, po vazhdojnë të kërkojnë nga bizneset arkat fiskale.
Ndërkohë, disa biznese kanë vendosur të mos pajisen me arka fiskale dhe të bëjnë deklarime vetëm përmes paragonëve të vulosur, gjë që ua mundëson edhe keqpërdorimin por edhe evazionin fiskal. Krejt kjo, duke u thirrur në njoftimin e Ministrisë së Financave për sistemin e ri arkave fiskale.
Pse të shpenzojnë?
Disa biznese, kanë thënë për Gazetën Nacionale se janë konfuze nëse duhet të shpenzojnë për të blerë arka fiskale, nëse qëllimi është për t’i larguar ato pas një kohe të shkurtë, andaj edhe pop resin njoftimin e radhës nga Ministria e Financave.
Kjo “mjegull” e krijuar me një Udhëzim Administrativ nga Ministria e Financave, ka dëmtuar edhe vet operatorët ekonomik që janë marrë me shitjen e pajisjeve të arkave fiskale.
Një operator ekonomik, tashmë ka vendosur që të mbyll të gjitha pikat në territorin e Republikës së Kosovës dhe të funksionojë vetëm në pikën e saj kryesore në Komunnë e Pejës. Ata kanë thënë se ky vendim ka qenë i pashmangshëm duke marrë parasysh vendimet e Ministrisë së Financave, pa asnjë paralajmërim paraprak.
Bizneset që kishin blerë arka fiskale nga kjo kompani, kanë thënë për Gazetën Nacionale se në pamundësi për të udhëtuar deri në Pejë, kanë vendosur që të mos funksionojnë përmes arkave fiskale, por të vazhdojnë punën përmes paragonëve deri në një vendim tjetër të ministrisë.
Se si do të vazhdohet tutje, se a do të dalin bizneset dhe qytetarët nga ky “udhëkryq”, a do të ketë sqarime shtesë nga Ministria e Financave, kjo mbetet të shihet javëve në vijim.
Për të qartësuar detajisht këtë situatë dhe planet për të vazhduar tutje, Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave, por edhe në Administratën Tatimore të Kosovës.
Deri më tani, ATK-ja ka dhënë disa përgjigje dhe pas pranimit të përgjigjeve nga ana e ministrisë, do të ketë video të tjera informuese për qytetarët dhe bizneset lidhur me procesin e dixhitalizimit të arkave fiskale.