Irani dhe Omani propozojnë pakt të përkohshëm për Ngushticën e Hormuzit
1 minutë më parë
00:00
NACIONALE
1 minutë më parë
00:00
Irani dhe Omani të martën përvijuan një propozim për të themeluar së bashku një kanal të përkohshëm të transportit detar nëpër Ngushticën e Hormzuit, sipas zyrtarëve rajonalë.
Dy vendet diskutuan për një “kornizë me faza” për një projekt të përbashkët që do të lehtësonte “një korridor të përkohshëm të transportit” dhe për “pastrimin e minave”, thuhet në një deklaratë për shtyp të ministrive të jashtme të Iranit dhe Omanit, raporton televizioni CNN.
Zyrtarët do t’i vazhdojnë bisedimet “me qëllim të arritjes së marrëveshjes për një korridor të përhershëm të transportit dhe për administrimin e Ngushticës në të ardhmen” – thuhet më tej në deklaratë.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr bin Hamad Al Busaidi, e vizitoi Iranin dhe mbajti konsultime me homologun iranian, Abbas Araghchi, raportoi më herët Agjencia e Lajmeve e Omanit (ONA), medium shtetëror.
Pas takimit, kryediplomati omanas tha se ka shpresë që të dyja vendet “së shpejti do të njoftojnë një korridor të përkohshëm”.
Më herët të martën, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se të gjitha minat në Ngushticën e Hormzuit janë larguar ose është bërë detonimi i tyre dhe kërcënoi se do të shkatërrohet secila anije që mundohet të vendosë mina të reja.
Nesër kufizohet përkohësisht qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë për shkak të temperaturave të larta
59 minuta më parë
23:02
NACIONALE
59 minuta më parë
23:02
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se të mërkurën do të vendoset kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet që transportojnë mallra dhe kanë masë të përgjithshme mbi 20 tonë.
Masa do të zbatohet për shkak të temperaturave të larta të parashikuara, të cilat pritet të arrijnë nivelin që aktivizon kufizimet për automjetet e rënda.
Sipas njoftimit të Ministrisë, në autoudhë qarkullimi i këtyre automjeteve do të ndalohet nga ora 11:00 deri në 17:30, periudhë gjatë së cilës temperatura pritet të arrijë ose tejkalojë 32 gradë Celsius.
Kufizimi nuk do të vlejë për automjetet që përdoren nga organet e rendit dhe të sigurisë publike, ekipet e emergjencës dhe institucionet shëndetësore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se masa synon të përshtatë qarkullimin e mjeteve të rënda me kushtet e temperaturave të larta dhe të ruajë sigurinë në infrastrukturën rrugore.
Rruga e Beogradit – BIA serbe përhap ekstremizëm islamik
1 orë më parë
22:20
Col Mehmeti
1 orë më parë
22:20
“Kush nuk mund t’i shohë xhamitë në Kosovë, le të shkojë në Beograd”, pati thënë me grimasa arrogance kryepari i BIK-ut, Naim Tërnava në një ditë funddhjetori të vitit 2022 në një fshat të Llapit. Në fakt, bash nga Beogradi zanafillon plani që Kosova të mbushet me xhami e medrese, të përhapet radikalizmi fetar e të rekrutohen për këto qëllime njerëz me ndikim nga mediat, sporti e muzika. Kjo ironi tragjike është zbardhur me rastin e dekonspirimit të disa prej agjentëve të BIA-s në Kosovë. Bojan Dimiq – Boki, që drejton Drejtorinë kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA, është njëri nga ata që e kanë marrë përsipër misionin strategjik që brenda njëzet vitesh Kosovën ta kthejnë në Kandahar. Dokumenti konfidencial, që është apostrofuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kundër Fatmir Shehollit, skicon disa nga planet kryesore të Serbisë për ta dëmtuar së brendshmi e së jashtmi Kosovën si një vend me radikalizëm islamik. Që prej vitit të kaluar, BIA serbe ka përvjelë mëngët që të kontaktojë e rekrutojë njerëz që asociohen me qëndrime fanatike fetare. Siç e dëshmuan edhe dy aferat e tjera – njëra me vahabistin Hysri Selimi-Abuseadi nga Bresalci i Gjilanit dhe tjetra me Fehim Saliun nga Kersteci i Dragashit – shërbimet e sigurisë në Beograd duan të krijojnë rrjete të gjëra bashkëpunëtorësh në Kosovë. Nga dëshmitë në dispozicion, edhe hierarkë të tjerë të BIA-s, si Želimir Matović – Željko apo Igor Babiq, synojnë që radikalizmin islamik ta kthejnë në bombë me sahat që do të sillte rrënimin e përgjithshëm të jetës në Kosovë ashtu sikurse edhe zezimin e imazhit të saj.
Col Mehmeti
25 gusht 2026 – Me fonde të vjela nga ambasadat e vendeve arabe në Beograd, peizazhet urbane e ato rurale në Kosovë do të përshkoheshin anë-e-përtej me ndërtime xhamish.
Ato nuk do të ngriheshin dokudo, por në vende të dukshme ‘strategjike’, si në afërsi të udhëve magjistrale, shkollave apo qendrave tregtare.
Ky rrjet do të pasohej edhe me medrese të reja në qytete si Mitrovica, Vushtrria, Han i Elezit, Dragashi dhe Prizreni.
Investimi nuk do të mjaftohej sall me infrastrukturë fizike, por do të angazhonte edhe njerëz me ndikim në media, muzikë dhe politikë.
Me njëzet vjet përpjekje të tilla, nëse plani do të shkonte mbarë gjer në fund, Kosova do të dukej si Kandahar dhe mbështetja e Perëndimit do të vihej në pikëpyetje për shtetin e krijuar më 2008.
Kjo është tabloja që del nga teksti me gjithsejt 412 fjalë me të cilin Agjencia për Siguri dhe Inteligjencë e Serbisë shestonte planin e saj të errët për Kosovën.
I cilësuar si ‘Top sekret 2’, kjo është vetëm njëra nga shumë dëshmitë të cilat Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka përfshirë në aktakuzën e ngritur ndaj Fatmir Shehollit që u arrestua në tetor të vitit të kaluar.
Gjithçka filloi nga Bojan Dimiq-Boki dhe majat e BIA-s
Sipas aktakuzës 80-faqëshe, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit nga BIA (Shërbimi Informativ i Serbisë) përcolli të dhëna, informacione dhe dokumente mbi gjendjen e sigurisë dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
Nën urdhrat e Bojan Dimiqit, i ndryshequajtur ‘Boki’, që është në krye të Drejtorisë kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA, Sheholli dëmtoi seriozisht interesat shtetërore të Kosovës.
Se ai e kishte kryer veprën penale të spiunazhit, Prokuroria Speciale e ka sjellë, mes të tjerash, edhe provën e 17-të e cila qe marrë nga Raporti Informues i Policisë së Kosovës.
E përfshirë në aktakuzë si dëshmia “Z#4.1”, bëhet fjalë për një fotografi të marrë nga telefoni celular ‘Apple iPhone’ në mesin e 20,914 fotografive dhe imazheve të ruajtura në këtë pajisje.
Aty ndodhej edhe një tekst në serbisht, sipër të cilit ishte shënuar ‘Top sekret 2’, me përmbajtje fundekrye konfidenciale.
Sipas aktakuzës, kjo dëshmi tok me provat e tjera të administruara, “është relevante për të vërtetuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë së të pandehurit në raport me strukturat e shërbimi informativ serb BIA.”
Ndërtimi strategjik i xhamive dhe shkollave fetare
Pjesa e parme e dokumentit të shërbimit informativ serb sipërfaq projektin për financimin e ndërtimit të xhamive gjithandej Kosovës.
“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativët tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd, shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër autoudhëve, shkollave, qendrave tregtare, ndërsa xhamitë në fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”, thuhet në dokument.
Sipas planit të skicuar – të cilin Sheholli më 5 gusht 2025 ia kishte përcjellë personit ‘Viktor Makedonija’ – xhamitë do të shoqëroheshin edhe me shkolla islamike nëpër gjithë Kosovën.
Mjaft interesant është veçmas pasazhi i dokumentit ku thotë se ky rrjet do të instalohej në “vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi”, si në Mitrovicë, Vushtrri, Han të Elezit, Kaçanik, Dragash dhe Prizren.
Plani serb me kontribute edhe nga Maqedonia, Bosnja e Sanxhaku
Dokumenti strategjik i BIA-s vinte në dukje se, pos operativëve shqiptarë, në plan do të kontribuonin edhe “njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku”, përfshirë edhe nga pakicat RAE.
Në vijim të dokumentit bie në sy se operativët e BIA-s e konsideronin si punë të kryer kontrollin e tyre mbi udhëheqësit e bashkësive islame në Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe Kosovë.
Ideja e endur në dokument është që ky rrjet të zgjerohej edhe me njerëz me ndikim nga fusha të tjera, përfshirë edhe ata nga partitë politike.
“Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnes, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa më shumë të inkuadrojnë njerëz me kombësi shqiptare me ndikim në sport, media muzikë dhe politikë”, thuhet në dokumentin e përpiluar nga BIA.
“Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm Islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islamë të cilët janë duke shpërndarë Islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami.”
Caku i radhës: diaspora në Gjermani e Zvicër
Inteligjenca serbe tutje e vijonte shestimin me hapat e radhës edhe në diasporën shqiptare në Perëndim.
Atje, sipas dokumentit, njerëz të bashkësive islame nga Kosova e Sanxhaku do të ndiqnin urdhrat e ambasadave të Beogradit në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë.
Ideja ishte që me këtë të shkaktohej ndarja e shqiptarëve që jetojnë në vendet e fuqishme perëndimore, si Zvicra e Gjermania, “ku jetojnë shqiptarët më të pasur dhe më të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën”.
“Kosova të duket si Kandahar”
Dokumenti, të cilin Sheholli e kishte përcjellë te ‘Viktor Makedonija’, zbulon edhe përmasa të tjera të luftës speciale të Beogradit kundër Kosovës.
Sipas operativëve të BIA-s, plani largvajtës ishte që në Kosovë të krijohet atmosfera që shqiptarët të ndjehen sikur jetojnë në një shtet të huaj.
Kjo, në prapakthim do ta nxiste një pjesë të rinisë të largohej jashtë vendit, kurse një pjesë tjetër t’i nënshtrohej ideologjive fetare.
“Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do të vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë”, thuhet në mënyrë eksplicite në planin e BIA-s.
Dokumenti përmbyllet me skenarin ku Serbia do t’i kishte duart e lira që ta përsëriste dëbimin e shqiptarëve në Turqi, për çka udhëheqësit fetarë do të përdoreshin për të predikuar migrimin drejt Turqisë.
“Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”, përfundon dokumenti konfidencial.
PSRK: “Krijimi i një narrative negative përmes radikalizmit islamik”
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu, ky planprogram i fshehtë shfaq synimin për “zgjerimin e ndikimit të radikalizmit islamik në Kosovë dhe rajon dhe përfshirjes së figurave me ndikim në sport, muzikë, media dhe politikë.
“Nga analizimi i dokumentit të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli rezulton se bëhet fjalë për një plan veprimi që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës, krijimin e perceptimit të saj si shtet i radikalizuar dhe ekstremist dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare. Dokumenti parasheh shfrytëzimin e rrjeteve të personave të angazhuar në Kosovë dhe rajon për financimin dhe përhapjen e aktiviteteve fetare, si dhe ndikimin te figura dhe prijës fetarë, me qëllim të krijimit të një narrative negative për Kosovën, nxitjes së migrimit dhe ndikimit në qëndrimet e vendeve perëndimore ndaj saj”, thuhet në aktakuzë.
Gjithnjë duke u mbështetur në këtë dëshmi, Prokuroria Speciale ka theksuar se synimi afatgjatë i BIA-s është krijimi i një gjendje ku Kosova do të perceptohej si shoqëri e radikalizuar dhe e destabilizuar, duke krijuar kështu kushte për ndryshimin e qëndrimit ndërkombëtar ndaj statusit të saj dhe kthimin e saj nën Serbi.
Edhe Želimir Matović-Željko me Igor Babiqin ndiqnin plane të ngjashme
Në të vërtetë, dëshmia e koduar si Z#4.1 mund të vihet si copëz në një mozaik shumë më të gjërë të luftës speciale të Serbisë kundër Kosovës.
Brenda një viti, BIA (akronim për Bezbednosno-informativna agencija) shpenzoi para, përpjekje e resurse për të kontaktuar e rekrutuar elementë vahabistë në Kosovë.
Siç e dëshmuan aferat e fundit me spiunë të arrestuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë – të tillë si Hysri Selimi ‘Abuseadi’ nga Bresalci i Gjilanit dhe Fehim Saliu nga Kersteci i Dragashit – BIA serbe ka shenjëstruae elementë të lidhur me Islamin radikal.
Agjentë në hierarkinë e lartë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, të tillë si Želimir Matović-Željko apo Igor Babiq, kërkonin vazhdimisht informacione për ekstremistë vahabistë, qarqe radikale, njerëz me ndikim brenda tyre, mesxhide që veprojnë ilegalisht, ashtu sikurse edhe qytetarë të Kosovës të mbetur në Siri.
Pse Serbia ka interes për qarqet radikale islamike?
Dy rastet e mësipërme dëshmuan se spiunazhi serb u përpoq ta shtrinte rrjetin e bashkëpunëtorëve në rajonin e Anamoravës dhe Prizrenit.
Sipas ekspertëve të sigurisë, shërbimi serb i inteligjencës është i interesuar edhe për instrumentalizimin e rrjeteve radikale islamiste në funksion të objektivave të Serbisë.
Një tjetër aspekt i këtyre përpjekjeve është që Serbia të pozicionohet si partnere e besueshme në shkëmbimin e informacioneve me shërbime të tjera të sigurisë që përcjellin nga afër grupet selafiste e vahabiste.
Schwartz: “Infiltrimi vahabist mbështetet nga Serbia”
Njohës të huaj të religjionit në Ballkan, si miku i madh i shqiptarëve Stephen Schwartz, prej kohësh kanë tundur këmbanat e alarmit mbi rrezikun
që i kanoset Kosovës nga ekstremizmi fetar.
Në një intervistë të bërë para plot 12 vitesh, ky i fundit shkoqiste aspekte domethënëse mbi rreziqet që iu kanoseshin shqiptarëve në Ballkan.
Sipas drejtorit të Qendrës për Pluralizëm Islam, vahabizmi nuk mbështetej drejtpërdrejtë nga mbretëria saudite apo ulemaja zyrtare, sa nga institucione e individë të caktuar atje.
“Sidoqoftë, ne vëmë re se infiltrimi vahabist ka mbështetje prej Beogradi, që ndjek strategji të stilit rus për të përçarë shqiptarët dhe myslimanët e tjerë që i rezistojnë imperializmit ortodoks, siç kemi parë në Maqedoni, Sanxhak (të Novi Pazarit), dhe në Kaukaz”, kishte thënë Schwartz. /Nacionale/
Ramadani i përgjigjet akuzave të Qorollit: Mos e përdor AKI-në për propagandë, shihemi në gjykatë
2 orë më parë
21:22
NACIONALE
2 orë më parë
21:22
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorolli, dhe ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, janë përplasur përmes rrjeteve sociale, pas akuzave të Qorollit lidhur me periudhën kur Ramadani ishte pjesë e AKI-së.
Qorolli ka ngritur pretendime për shpenzime prej 640 mijë eurosh që, sipas tij, lidhen me Fatmir Shehollin.
“Le të flet tash një ish-çkofinovik i AKI-së, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, emrin ia thënë Burim, mbiemrin s’ia mbaj mend dot, me duket e quajnë Qymyrxhiu – se si agjencia e mbikëqyrur prej tij në kohën e tij – e ka paguar në shumën prej 640 mijë eurove, shpenzime me letra të Serbisë, Fatmir Shehollin!”, ka shkruar Qorolli.
Ramadani ka reaguar duke i kërkuar Qorollit të mos e përfshijë AKI-në në përplasjet politike.
“Vigan, të lutem ruaje AKI-në dhe sektorin e sigurisë, mos u përfshijë në propagandë armiqësore, duke dashur që të me sulmosh mua si individ në politike”, ka shkruar ai.
Ramadani ka shtuar: “Pyeti shefat tu. Pyeti kolegët tu”.
“Unë jam emëruar më 25 nëntor 2019 dhe kam dhënë dorëheqje më 22 dhjetor 2022. Mos përhap propagandë armiqësore ndaj AKI-së për asnjë periudhë”, ka deklaruar ai.
Ramadani e paralajmëroi Qorrollin për veprime ligjore: “Normalisht, të kërkoj të kërkosh falje dhe ta heqësh postimin. Në të kundërtën, SHIHEMI NË GJYKATË!”, ka shkruar Ramadani.
Vdes në QKUK këmbësori i aksidentuar në rrugën Podujevë–Prishtinë, shoferi dërgohet në mbajtje
3 orë më parë
20:44
NACIONALE
3 orë më parë
20:44
Ka vdekur në QKUK këmbësori që ishte lënduar në aksidentin e 24 gushtit në rrugën Podujevë–Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për Nacionalen vdekjen e tij.
“Sot, rreth orës 10:00, nga QKUK, kemi pranuar informatën se këmbësori, i cili ishte lënduar në aksidentin e trafikut të ndodhur mbrëmë në rrugën Podujevë–Prishtinë, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, ka thënë Ahmeti.
Policia ka arrestuar edhe drejtuesin e automjetit, i cili dyshohet se ishte larguar nga vendi i ngjarjes pas aksidentit.
“Personi i dyshuar pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Ahmeti.
Trumpi thotë se Hormuzi është deminuar, e paralajmëron Iranin që të mos vendosë më mina
3 orë më parë
20:05
NACIONALE
3 orë më parë
20:05
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të martën se gjitha minat janë hequr ose detonuar nga ujërat ndërkombëtare të Ngushticës së Hormuzit dhe se Iranit i është thënë se cilado anije ose barkë që vendos mina të reja do të shkatërrohet.
Në një postim në rrjetin “Truth Social”, Trumpi tha se Shtetet e Bashkuara, përmes Forcës Hapësinore, janë duke përcjellë “secilin centimetër” të Ngushticës së Hormuzit, rrugë detare kyçe në zinxhirin global të furnizimit me energji, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Në fuqi të plotë është një politikë e zero tolerancës rreth vendosjes së minave” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk kanë kryer sulme ajrore kundër ushtrisë së njëra-tjetrës për disa javë, por sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit kanë vazhduar, përderisa dy palët po luftojnë për kontroll në rrugën e ngushtë detare.
Transiti i naftës nëpër këtë ngushticë të hënën ishte pesë milionë fuçi në ditë, sipas të dhënave të kompanisë “Vortexa”, dukshëm më pak se mbi 20 milionë fuçi në ditë, sa ishte para luftës.
Kolona deri në 300 metra në Jarinjë, pritje edhe në Merdarë
4 orë më parë
19:51
NACIONALE
4 orë më parë
19:51
Qarkullimi në disa pika kufitare të Kosovës po zhvillohet me pritje të shtuara, ndërsa situata më e ngarkuar raportohet në Jarinjë.
Sipas të dhënave të fundit, udhëtarët që hyjnë në Kosovë përmes kësaj pike kufitare po presin nga 15 deri në 20 minuta. Kolona e automjeteve në hyrje arrin në rreth 300 metra.
Fluks i shtuar është regjistruar edhe në Merdarë, ku pritjet për hyrje variojnë nga 10 deri në 15 minuta, ndërsa kolona e automjeteve arrin deri në 100 metra.
Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pritjet për të hyrë në territorin e Kosovës janë më të shkurtra, përkatësisht nga 5 deri në 10 minuta.
Në pikat e tjera kufitare situata paraqitet më e qetë, me kohë më të shkurtër pritjeje dhe pa kolona të theksuara.
Ndërkohë, për automjetet që dalin nga Kosova nuk raportohen vonesa të konsiderueshme në pikat kufitare.
Gjini: Qeverisja e Kurtit duhet të njihet si “epoka e mashtrimit”
4 orë më parë
19:15
NACIONALE
4 orë më parë
19:15
Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se këtë periudhë do ta përkufizonte si “epokë të mashtrimit”.
Në emisionin “FRONTAL” në T7, Gjini ka deklaruar se, pavarësisht qëndrimeve të mëhershme të pushtetit ndaj Serbisë, Kosova vazhdon të furnizohet me produkte dhe mallra që vijnë nga ky shtet.
Sipas tij, përveç vagonëve të dërguar për intervenim në Serbi, nga atje importohen edhe materiale ndërtimore, energji dhe produkte që përdoren në sektorin e shëndetësisë.
“E kanë ditë. I kanë çu zyrtarët publikë me inspektu në Serbi. S’janë kry punët për të cilat janë paguar parët. Sot ka institucione shëndetësore në të cilat gjenden edhe infuzione të prodhuara në Serbi, infuzione që u jepen pacientëve”, ka deklaruar ai.
Ai ka përmendur edhe furnizimin me zall, energji dhe trenat si shembuj të bashkëpunimit ekonomik me Serbinë.
“Zalli blehet prej Serbisë, energjia, infuzionet, trenat. Këta kanë ardhë në pushtet me kauzën kurgjo me Serbinë”, ka thënë Gjini.
Kanadaja u vendos taksa deri në 50 për qind mallrave amerikane me vlerë 20 miliardë dollarë
5 orë më parë
18:22
NACIONALE
5 orë më parë
18:22
Kanadaja ka thënë se do të zbatojë taksë hakmarrëse deri në 50 për qind ndaj mallrave nga ShBA-ja me vlerë të 20 miliardë dollarëve, pas zotimit të kryeministrit Mark Carney për t’iu kundërvënë taksave të presidentit amerikan, Donald Trump, “dollar për dollar”.
Taksat e reja do të hyjnë në fuqi më 8 shtator dhe do të jenë në nivelet prej 15, 25 dhe 50 për qind ndaj 700 produkteve, thuhet në një deklaratë të qeverisë kanadeze, raporton gazeta “The Guardian”.
Në këtë listë përfshihen taksa prej 50 për qind ndaj importeve të çelikut dhe aluminit nga Shtetet e Bashkuara, si dhe një taksë prej 25 për qind ndaj djathit, peshkut të freskët dhe të ngrirë dhe ushqimit të detit.
Kanadaja do të vendosë një taksë prej 25 për qind edhe ndaj produkteve të amvisërisë, përfshirë rrobalarëset, tharëset e flokëve dhe stufat.
Në anën tjetër, presidenti amerikan tha se Kanadaja i ka ngarkuar bujqit amerikanë me taksë prej 400 për qind dhe kanë nxjerrë shumë kompani amerikane nga tregu.
“Unë merrem me shumë shtete dhe Kanadaja është bindshëm më e vështira dhe më e paarsyeshmja” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Nis aksioni për kontrollin e peshës së bukës dhe peshoreve në furra – gjoba deri në 10 mijë euro
6 orë më parë
17:27
NACIONALE
6 orë më parë
17:27
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, kanë nisur aksionin për mbikëqyrjen e peshës së bukës dhe kontrollimin e vlefshmërisë së peshoreve në furrat e Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, inspektimet kanë filluar në rajonin e Prishtinës dhe gjatë ditëve në vijim do të vazhdojnë edhe në komunat e tjera.
Aksioni vjen pas ankesave të konsumatorëve për dallime të mundshme ndërmjet peshës së deklaruar të bukës dhe peshës reale të produktit të blerë.
“Mospërputhja e masës së produktit të promovuar me masën reale të produktit të shitur konsiderohet mashtrim ndaj konsumatorit”, thuhet në njoftim, duke iu referuar Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Për këtë shkelje, bizneset mund të gjobiten nga 1,000 deri në 10,000 euro.
Gjatë aksionit po kontrollohen gjithashtu afati i vlefshmërisë dhe rregullsia e peshoreve, si dhe nëse operatorët ekonomikë posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike. Për përdorimin e mjeteve matëse të parregullta, subjektet juridike mund të gjobiten nga 500 deri në 1,500 euro.
AMK dhe IQMT u kanë bërë thirrje furrtarëve që “të sigurojnë matjen e saktë të produkteve dhe të respektojnë të gjitha kërkesat ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve”.