- NACIONALE

Ish-krerët e UÇK-së në Hagë shfaqen në billboard në Times Square më 7 shtator

NACIONALE

Veprimtari i diasporës shqiptare në ShBA, Shpend Gjocaj, ka njoftuar se më 7 shtator në Times Square pritet të shfaqet grafiku me mesazhin “Freedom for the Liberators”.

Gjocaj publikoi në Facebook konfirmim nga “Welcome to Times Square”. Sipas tij, materiali do të transmetohet gjatë ditës për 15–30 sekonda në çdo orë.

E diel me diell dhe temperatura deri në 31 gradë

NACIONALE

Instituti Hidrometeorologjik ka bërë të ditur se të dielën, më 6 shtator 2026, do të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta.

Vranësirat pritet të jenë më të theksuara kryesisht në zonat përreth relievit malor, ndërsa reshje nuk parashihen.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 15 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijnë nga 28 deri në 31 gradë Celsius.

Sipas parashikimit, era do të fryjë e dobët deri mesatare, kryesisht nga drejtimet veriore dhe verilindore, me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.

Haradinaj njofton për vdekjen e bashkëluftëtarit Afrim Mehmetaj: Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut

NACIONALE

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar për vdekjen e bashkëluftëtarit të tij, Afrim Mehmetaj nga Gllogjani.

“Paska ndërruar jetë bashkëluftëtari i orëve të para, Afrim Mehmetaj nga Gllogjani”, ka shkruar Haradinaj.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjes Mehmetaj, miqve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes atdhetare Mehmetaj, miqve e bashkëluftëtarëve dhe gjithë atyre që e njohën”, thuhet në postimin e tij.

“Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut.

U prehsh në paqe!”, shtoi.

Tension pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion në Rrugën C, ndërhyn Policia

NACIONALE

Një incident në komunikacion ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Rrugën C në Prishtinë, ku janë përfshirë dy vetura, një Mercedes i bardhë dhe një veturë tjetër me ngjyrë të zezë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Nacionale nga vendi i ngjarjes, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion mes personave të përfshirë. Situata më pas është tensionuar, ndërsa njëri prej drejtuesve të automjeteve dyshohet se ka tentuar të largohet nga vendi.

Në pamjet e siguruara shihet se në një moment disa persona janë mbledhur pranë Mercedesit të bardhë, derisa u panë edhe zyrtarë policorë.

Nacionale ka kontaktuar Policinë, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka marrë detaje të reja.

Nderimet ndaj Mlladiqit | Kandiq: Turp i tmerrshëm i Serbisë, Vuçiq s'është tërhequr nga e kaluara e tij radikale

NACIONALE

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka kritikuar ashpër nderimet shtetërore ndaj Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, duke e cilësuar këtë zhvillim si dëshmi të vazhdimësisë së politikës nacionaliste në Serbi.

Në një intervistë për “Info Magazine” në Klan Kosova, Kandiq tha se mbulimi i arkivolit të Mlladiqit me flamurin serb dhe përfshirja e shtetit në ceremonitë pas kthimit të trupit të tij në Beograd dërgojnë një mesazh të rëndë politik dhe shoqëror.

Sipas saj, Aleksandar Vuçiq me këtë qasje ka treguar se “nuk ka bërë asnjë tërheqje nga e kaluara e tij radikale”, ndërsa paralajmëroi pasoja më të gjera për vetë shoqërinë serbe.

“Serbia nuk do të jetë e njëjta pas kësaj ngjarjeje, pra pas këtij degradimi moral, politik e civilizues”, deklaroi Kandiq.

Ajo tha se nderimet ndaj Mlladiqit prekin drejtpërdrejt edhe raportet e Serbisë me vendet fqinje dhe me viktimat e krimeve për të cilat ai u dënua.

Kurti, Haxhiu e Gërvalla heshtin për aktakuzën e Prokurorisë Speciale për krimet në lagjen Jashari

NACIONALE

Të premten, Prokuroria Speciale ka bërë një punë të madhe, e cila është “duartrokitur” edhe nga Kryeprokurori i Shtetit, pasi ka ngritur aktakuzë ndaj 35 të pandehurve, në mesin e tyre edhe Milorad Ulemek, i njohur me pseudonimin “Legija”, lidhur me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt. Por, ajo që është për t’u habitur, është se nuk ka pasur asnjë reagim nga krerët e shtetit, tash në detyrë, Albulena Haxhiu dhe Albin Kurti.

Aktakuza prej 140 faqesh, e dorëzuar nga Prokuroria Speciale me në krye Blerim Isufajn dhe prokurorin e rastit, Valdet Gashi, lidhet me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt.

Për këtë punë, Prokuroria Speciale u vlerësua edhe nga Kryeprokurori i Shtetit, si dhe nga drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Por, habitshëm, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, nuk po e thotë asnjë fjalë për një aktakuzë kaq të rëndësishme.

Gjithashtu, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deri më tani nuk e ka thënë asnjë fjalë për aktakuzën ndaj 35 të pandehurve për vrasjen e civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit, edhe pse ai vazhdimisht ka theksuar vonesën e drejtësisë ndaj urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve të kësaj masakre, duke thënë se “drejtësia është vonuar sepse nuk ka filluar akoma”.

Më ndryshe s’ka vepruar as u.d. e presidentit, Albulena Haxhiu, e cila nuk ka bërë asnjë reagim ndaj ngritjes së aktakuzës së parë lidhur me masakrën ndaj civilëve të lagjes Jasharaj në Prekaz.

Ndryshe, ngritja e aktakuzës së parë zyrtare nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 shtator 2026, konsiderohet një kthesë historike në rrugën drejt drejtësisë për krimet e luftës.

Duhet thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për herë të parë, zbardh zyrtarisht në rrugë ligjore prapaskenat, urdhrat dhe strukturën e saktë komanduese të shtetit serb që çoi në masakrimin e civilëve në lagjen e Jasharajve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Sipas detajeve të bëra publike nga prokurori i rastit, Valdet Gashi, dhe kryeprokurori Blerim Isufaj, dosja dëshmon këto pika rrëqethëse dhe kyçe lidhur me krimet ndaj civilëve.

Vrasja e qëllimshme e 26 civilëve: Hetimet e mbështetura nga dëshmi personale dhe prova materiale konfirmojnë vrasjen e 26 personave civilë. Prokuroria sqaroi se ky numër specifik përfshin ekskluzivisht fëmijë, gra dhe të moshuar të pambrojtur.

Viktima më e re – vetëm 5 vjeç: Aktakuza dokumenton me saktësi moshën e viktimave, ku ndër më të prekurit ishin fëmijët, duke specifikuar se viktima më e re e ekzekutuar ishte një fëmijë pesë vjeçare.

Marrja e pengjeve dhe tortura: Përveç vrasjeve, dokumenti ligjor vërteton se forcat speciale serbe kanë marrë peng civilë brenda shtëpive të tyre në lagjen e Jasharajve. Këta banorë të pafajshëm u nënshtruan formash të ndryshme të keqtrajtimit fizik dhe psikologjik

Sulm i paramenduar me arsenal të rëndë: Kryeprokurori Isufaj deklaroi se ngjarjet nuk ishin një incident spontan, por u kryen "me paramendim" dhe "përgatitje të plotë paraprake". Janë identifikuar pozicionet e sakta të forcave serbe, planet e rrethimit dhe arsenali ushtarak i rëndë i përdorur mbi infrastrukturën civile

Roli i Milorad Ulemek "Legija": Dosja e ngarkon drejtpërdrejt komandantin famëkeq të Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO), "Legija", si udhëheqësin e njësisë në terren që mori përsipër sulmin e drejtpërdrejtë dhe asgjësimin brenda shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.

Faza e vëzhgimit: Provat tregojnë se lagjja e Jasharajve kishte qenë nën vëzhgim të rreptë e të pandërprerë nga strukturat serbe që nga janari i vitit 1998, duke dëshmuar qëllimin e pastër shtetëror për eliminim.

Rama: Nënë Tereza, simbol i dashurisë, paqes dhe shërbimit ndaj njerëzimit

NACIONALE

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shënuar Ditën e Nënë Terezës me një mesazh kushtuar jetës dhe trashëgimisë së humanistes shqiptare.

Në një reagim në Facebook, Rama e ka cilësuar Nënë Terezën si një nga figurat më të fuqishme shqiptare që mishëron dashurinë, paqen dhe përkushtimin ndaj njerëzve.

Ai bëri të ditur se përkujtimi u zhvillua në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, duke vënë në pah ndikimin që ajo pati në mbarë botën përmes veprës së saj humanitare.

"Në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, përkujtuam jetën dhe veprën e saj të jashtëzakonshme, përmes së cilës preku ndërgjegjen e mbarë botës dhe u dha zë, shpresë e dinjitet atyre që ishin harruar. Trashëgimia e saj na kujton se madhështia e vërtetë qëndron në mirësi, përkushtim dhe dashuri ndaj tjetrit", ka shkruar ai.

ShBA godet tre cisterna iraniane pas sulmit të IRGC ndaj anijeve amerikane

NACIONALE

Forcat amerikane kanë goditur të shtunën tre cisterna iraniane të naftës, pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit lëshoi raketa balistike ndaj dy anijeve të Marinës së Shteteve të Bashkuara, njoftoi Komanda Qendrore Amerikane.

Sipas CENTCOM-it, një nga cisternat u godit pranë brigjeve të ishullit Kharg, zonë strategjike që ndodhet pranë qendrës kryesore të eksportit të naftës së Iranit.

Komanda Qendrore e ShBA-së tha se sulmet amerikane u ndërmorën si përgjigje ndaj lëshimit të raketave balistike nga IRGC-ja në drejtim të dy anijeve të Marinës amerikane.

“Mesazhi për IRGC-në duhet të jetë i qartë: nëse qëlloni ndaj dy prej anijeve tona, ne do t’ju imponojmë një kosto edhe më të lartë ekonomike – duke nxjerrë jashtë funksionit tre prej anijeve tuaja”, deklaroi admirali Brad Cooper, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim, e cituar nga Reuters, raportoi më herët se katër raketa amerikane kishin goditur një cisternë në zonën e ankorimit pranë ishullit Kharg.

CENTCOM njoftoi gjithashtu se asnjë pjesëtar i personelit amerikan nuk ishte lënduar gjatë sulmit iranian.

Burim Ramadani: Deputetët e VV-së s'kanë të drejtë as të flasin, e as të mendojnë vet-të lutemi për lirinë e tyre

NACIONALE

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, gjatë fjalës së tij sot në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar lidhur me situatën dhe qëndrimet e deputetëve të Vetëvendosjes.

Ramadani ka deklaruar se deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë liri të mendojnë, të shprehen apo të veprojnë, duke ironizuar situatën brenda kësaj partie.

“Duhet të lutemi për lirinë e deputetëve të Vetëvendosjes! Ata nuk kanë të drejtë as të mendojnë, as të shprehen dhe nuk kanë guxim as të veprojnë!”, ka thënë Ramadani.

Rama godet Serbinë për Mlladiqin: S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap

NACIONALE

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit për përcjelljen me homazhe shtetërore të Ratko Mlladiqit, të dënuarit për krime lufte dhe të cilit Rama iu referua si “kasapi i Ballkanit”.

Duke folur për marrëdhënien e Serbisë me Bashkimin Evropian, Rama tha se raste të tilla janë arsyeja pse Serbia duhet të mbahet në tryezën evropiane dhe t’i kërkohet llogari për qëndrimet dhe veprimet e saj.

“S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”, deklaroi Rama, duke argumentuar se izolimi i Serbisë nuk është zgjidhja e duhur.

Ai e përshkroi Serbinë si një “lloj kafshe shumë interesante dhe të çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor”, duke vënë në pikëpyetje nëse është më mirë që Beogradi të jetë pjesë e tryezës evropiane apo të lihet në një situatë ku ndërthuren ndikimet e Evropës, Kinës, SHBA-së dhe Rusisë.

“Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani”, përfundoi Rama.