Zyrtare: Vinicius Junior nënshkruan kontratë të re me Real Madridin
Tani edhe zyrtarisht Vinicius Junior ka nënshkruar marrëveshjen e re me Real Madridin, që e mbanë atë deri në verën e vitit 2027 në Santiago Bernabeu.
Vinicius ishte përfolur se kishte rënë dakord për një marrëveshje të re prej muajsh. Dhe tani, ylli brazilian ka hedhur të zezën në të bardhë, duke rënë dakord për një zgjatje të kontratës që do ta mbajë atë në kryeqytetin spanjoll deri sa të mbushë 27 vjeç, njoftoi klubi.
🤩🇧🇷 #ViniJr2027 🇧🇷🤩 pic.twitter.com/eyN7SJaUnr
— Real Madrid C.F. 🇬🇧🇺🇸 (@realmadriden) October 31, 2023
Kontrata e tij do të ketë një klauzolë lirimi prej 1 miliardë euro, sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano – që përputhet me ato të shokëve të skuadrës Federico Valverde dhe Eduardo Camavinga.
Viní Jr. arriti në Real Madrid në korrik 2018, në moshën vetëm 18 vjeç, dhe bëri debutimin e tij me Real Madrid Castilla më 26 gusht. Në gjashtë sezonet e tij me fanellën e parë të ekipit ai ka luajtur 235 ndeshje, në të cilat ai ka shënuar 63 gola dhe ka fituar nëntë trofe: një Ligë të Kampionëve, dy Kupa Bote për Klube, një Superkupë UEFA, dy liga, një Kupë të Mbretit dhe dy Superkupa spanjolle.
Në moshën 23-vjeçare, Viní Jr. është tashmë një nga lojtarët më të shquar në Real Madrid në vitet e fundit. Ai shënoi golin që i dhuroi Kupën e 14-të Evropiane në finalen e vitit 2022 në Paris dhe fitoi Topin e Artë në Kupën e Botës për Klube 2022 në Marok, të cilin e fitoi Real Madrid, titulli i tetë botëror në historinë e këtij klubi.
Ai u shpall gjithashtu lojtari më i mirë i ri në Ligën e Kampionëve sezonin 2021-22, dhe është përfshirë dy herë në njëmbëdhjetëshen më të mirë të Ligës së Kampionëve [2021-22 dhe 2022-23] dhe dy herë në njëmbëdhjetëshen më të mirë të LaLiga [2021-22 dhe 2022-23].
Burimet i thanë ESPN se kontrata e re e Vinícius në fakt ishte rënë dakord në korrik 2022, por klubi kishte zgjedhur ta vononte njoftimin deri tani.