Zyrtare: Usyk do t’i mbrojë titujt e botës kundër Dubois muajin e ardhshëm
Kampioni i botës në kategorinë e rëndë Oleksandr Usyk do t’i mbrojë titujt në WBO, WBA (Super) dhe IBF kundër britanikut Daniel Dubois në Wroclaw, Poloni, më 26 gusht.
Ukrainasi Usyk, 36 vjeç, do të përballet me Dubois – i cili është sfidues në WBA – në Arenën Tarczynski para 24 mijë tifozëve.
Dubios, 25 vjeç, e mban titullin në WBA (Rregullt) dhe i ka fituar 19 luftëra, me 18 nokaute, dhe është mposhtur një herë.
“Ai është luftëtar i madh dhe e respektoj, por tani është koha ime”, tha Dubois.
“Unë do ta trondit botën dhe do t’jua dëshmoj njerëzve sa i fortë është Daniel Dubois”, shtoi ai

Usyk i ka fituar të gjitha 20 luftërat profesionale dhe do t’i mbrojë titujt e botës për herë të dytë.
“Jam shumë i kënaqur që e kemi mundësinë për ta organizuar luftën time në Poloni, ku e fitova titullin e parë shtatë vjet më herët”, tha Usyk.
Meçi, i caktuar fillimisht për 12 gusht, u shty për dy javë për t’u përshtatur me Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, e cila është më 24 gusht.
Pasi Rusia e pushtoi Ukrainën, më shumë se një milionë refugjatë ukrainas u zhvendosën në Poloni.
