Zyrtare: Samir Ujkani vazhdon edhe për një vit me Empolin - NACIONALE

Zyrtare: Samir Ujkani vazhdon edhe për një vit me Empolin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Portieri Samir Ujkani ka vazhduar kontratën edhe për një vit me skuadrën italiane, Empoli.

"Gardiani" kosovar ishte agjent i lirë pasi në qershorin e kaluar i skadoi kontrata me këtë skuadër, por që tani e ka rinovuar.

Empoli përmes një komunikate zyrtare konfirmoi që Ujkani ka nënshkruar edhe për një vit dhe do të mbajë në fanellë numrin 22.

"Portieri kosovar i lindur më 1988 ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2023 dhe do ta mbajë numrin 22 në fanellë", shkruhet në komunikatën e Empolit.

Samir Ujkani mbetet portieri i dytë te Empoli

Pavarësisht që ka rinovuar kontratën, Samir Ujkani do të vazhdojë të jetë opsioni i dytë te Empoli.

Në verën e vitit 2021, kosovari u largua nga Torino për t’iu bashkuar Empolit si agjent i lirë që të zhvillojë më shumë minuta, por një gjë e tillë nuk ndodhi aspak.

Ujkani gjatë tërë edicionit të kaluar zhvilloi vetëm një paraqitje dhe atë as në Seria A, por në Kupën e Italisë.

Ai zhvilloi ndeshje të plotë në atë sfidë, por që pranoi tre gola dhe Empoli u eliminua nga ky kompeticion, e tani me rinovimin e kontratës mbetet të shihet nëse do të ndryshojë ndonjë gjë në këtë aspekt.

Sidoqoftë, pavarësisht që s’ka minutazhë, Ujkani vazhdon të jetë portieri i dytë te Kombëtarja e Kosovës.

Pas Arijanet Muric, Ujkani mbetet zgjedhja e dytë nën urdhrat e Alain Giresse, atë para Visar Bekaj që edicionin e kaluar ishte i mahnitshëm te klubi futbollistik Tirana.

Një gjë e tillë u vërejt në muajin qershor, pasi kur Muric u ndëshkua me të kuq dhe mungoi në sfidën ndaj Greqisë, Ujkani ishte titullar, sfidë ku pësuam humbje.

Në total që kur la Shqipërinë, Ujkani në fanellën ‘dardane’ ka bërë plotë 31 paraqitje.

Lajme të ngjashme