Zyrtare: Martinez i bashkohet Manchester Unitedit për 67 milionë euro - NACIONALE

Zyrtare: Martinez i bashkohet Manchester Unitedit për 67 milionë euro

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester Unitedi e ka blerë mbrojtësin argjentinas, Lisandro Martinez, nga Ajaxi në një marrëveshje që kap vlerën e 67 milionë eurove.

Trajneri i Unitedit, Erik ten Hag, ishte i etur të ribashkohej me 24-vjeçarin, të cilin e kishte marrë në Ajax në vitin 2019.

Martinez ka nënshkruar kontratë pesëvjeçar me klubin, e cila do ta mbajë atë në Old Trafford deri në vitin 2027, me mundësi për të vazhduar edhe për një vit tjetër.

“Është nder t’i bashkohem këtij klubi të madh. Kam punuar shumë zellshëm për të ardhur deri këtu dhe tani që jam këtu, do punoj edhe më fort”, tha Martinez.

Martinezi i bëri 120 paraqitje për Ajaxin, të cilit iu bashkua nga klubi argjentinas Defensa y Justicia për rreth 7 milionë euro në vitin 2019, si dhe ka luajtur edhe për Newell’s Old Boys.

Ai i ka zhvilluar shtatë ndeshje për Kombëtaren e Argjentinës qëkur debutoi në mars të vitit 2019, dhe luajti një ndeshje në triumfin e Argjentinës në Kupën e Amerikës 2021.

“Kam qenë mjaft me fat që kam qenë pjesë e ekipeve të suksesshme gjatë karrierës sime dhe këtë dua ta vazhdoj edhe në Manchester United”, shtoi ai.

“Për të arritur atë do të nevojitet shumë punë, por besoj fuqishëm se, nën udhëheqjen e trajnerit dhe ndihmësve dhe bashkë me shokët e skuadrës, ne mund t’ia dalim”.

Martinezi luajti nën urdhrat e Ten Hagut në Ajax dhe e fitoi titullin e kampionit të Holandës në vitet 2021 dhe 2022, si dhe Kupën e Holandës më 2021.

Ai u shpallë lojtari më i mirë i Ajaxit në sezonin 2021/22.

“Ai është luftëtar dhe mendoj se tifozët do ta adhurojnë. Ai ka qëndrim dhe shpirt luftarak”, tha Ten Hag për të.

Ten Hag shtoi: “Ai sjell agresivitet në lojën, në mënyrë të mirë. Kjo na duhet neve, mendoj. Por ai ka edhe aftësi me topin dhe është majtak”.

Lajme të ngjashme