Zyrtare: FC Prishtina konfirmon largimin e Endrit Krasniqit
FC Prishtina ka konfirmuar largimin e mesfushorit Endrit Krasniqi.
28-vjeçari pas shtatë viteve i ka dhënë fund bashkëpunimit me skuadrën kryeqytetase me shpresën e një aventure të re.
FC Prishtina e falënderoi Krasniqin për këtë kontribut të dhënë që shtatë viteve, ku lojtari i fitoi të gjitha trofetë e mundshme (Titullin kampion, Kupën e Kosovës dhe Superkupën e Kosovës).
“𝑭𝒂𝒍𝒆𝒎𝒊𝒏𝒅𝒆𝒓𝒊𝒕 𝑬𝒏𝒅𝒓𝒊𝒕!
FC Prishtina njofton se mesfushori Endrit Krasniqi është larguar zyrtarisht nga skuadra “bardhekaltër”.
Klubi e falënderon përzemërsisht 28-vjeçarin për kontributin e dhënë për gjatë shtatë viteve të karrierës së tij te Prishtina, në periudha të ndryshme.
Endriti gjatë këtyre viteve i ka fituar të gjithë titujt e mundshëm në futbollin e Kosovës: titullin kampion, Kupën e Kosovës dy herë si dhe Superkupën.
Prishtina i dëshiron shëndet e suksese në vazhdim të karrierës Endrit Krasniqit”, shkroi klubi bardhëkaltër.
Përndryshe, Prishtina është ankuar në CAS dhe po e pret përgjigjen përfundimtare për të mësuar nëse do t’iu lejohet pjesëmarrja në garat evropiane.
Në rast që licencohet, Prishtina do të garojë direkt në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.