Zyrtare: Evertoni e shkarkon trajnerin Frank Lampard
Evertoni e ka shkarkuar trajnerin Frank Lampard, pas disfatës 2:0 kundër West Hamit të shtunën, e cila ishte ndeshja e 10 radhazi pa fitore në të gjitha garat.
Shkarkimi i Lampardit vjen pasi pronari i Evertonit, Farhad Moshiri, ishte në stadium për ta shikuar ndeshjen e klubit për herë të parë që prej tetorit 2021.
Fatkeqësisht për trajnerin anglez, ndeshja përfundoi me humbjen e tretë radhazi në Premierligë, që e lë skuadrën në vendin e parafundit në tabelë.

Ish-trajneri i Chelseat e mori drejtimin e Evertonit në janar 2022 dhe, megjithëse i ndihmoi ta shmangë rënien nga liga sezonin e kaluar, ai u largua me vetëm 15 pikë nga 20 ndeshje dhe tri fitore këtë sezon – më së paku fitore nga të gjithë në elitë.
Evertoni është i 19-ti në tabelë dhe vetëm Southamptoni është më poshtë falë goldallimit.
Tifozët e Evertonit protestuan kundër hierarkisë së klubit pas disfatës kundër West Hamit dhe bordi ka reaguar duke e shkarkuar Lampardin.
Duke folur për Sky Sports pas disfatës, Moshiri tha: “Nuk është vendimi im” kur u pyet nëse Lampardi do të shkarkohej.

Lampardi kishte këmbëngulur se ishte i përqendruar në punë kur ishte pyetur nëse do të shkarkohej.
“Detyra ime është të punoj dhe të përqendrohem e ta mbaj kokën ulur. Kam vetëbesim të plotë në mënyrën se si dua të punoj si trajner”, kishte thënë Lampard pas ndeshjes në fundjavë.