Zyrtare: Ermal Krasniqi prezantohet te gjiganti çek Sparta e Pragës
Ylli i Kombëtares së Kosovës, Ermal Krasniqi, tashmë edhe zyrtarisht është pjesë e gjigantit çek, Sparta e Pragës, duke u bërë përforcimi i parë veror i kësaj skuadre.
Pas një gjysmësezoni të mirë të kaluar te Rapidi i Bukureshtit në Rumani, me gjashtë gola të shënura dhe tre asistime, ai tërhoqi vëmendjen e skuadrës çeke.
Në prezantimin e 25-vjeçarit ishte legjenda e futbollit çek, Tomas Rosicky, që ushtron rolin e drejtorit sportiv te ky klub. Ai pati fjalë të mira për Ermalin, duke thënë se e transferuan pasi në skuadër iu mungonte shpejtësia.

“Ermalin e sjellim për shkak të tipologjisë së tij. Ai është një lojtar i lëvizshëm, dinamik. Në disa ndeshje, veçanërisht në garat e UEFA-s, ne ndjemë se na mungonte më shumë shpejtësia – dhe Ermal do të na ndihmojë në këtë drejtim”, shpjegon ardhjen e parë para sezonit 2024/2025, drejtori sportiv i AC Sparta Praha Tomáš Rosický. “Ai është një futbollist në lëvizje, sulmues, i mësuar të luajë në disa pozicione në sulm. Ai është gjithashtu i rrezikshëm për kundërshtarët sepse di të shënojë dhe të vendosë ndeshjen”.
✍️ POSILA | Do Sparty přestupuje pětadvacetiletý křídelník 𝐄𝐫𝐦𝐚𝐥 𝐊𝐫𝐚𝐬𝐧𝐢𝐪𝐢 🇽🇰 Kosovský reprezentant přichází na Letnou z Rapidu Bukurešť 🇷🇴 #acsparta
— AC Sparta Praha (@ACSparta_CZ) June 7, 2024
➡️ https://t.co/84hDpxuTrU pic.twitter.com/oTtgWKANTL
Ermal Krasniqi është futbollist që doli nga 'lloqi' i Kosovës, duke debutuar me Ferizajn, teksa u bë i njohur në skenën evropiane me Ballkanin, duke luajtur në grupe të Ligës së Konferencës, ku pas paraqitjeve të tij fantastike, shumë klube evropiane u interesuan për të.
Ai kaloi fillimisht te CFR Cluj, e pas një sezoni e gjysmë, u transferua te Rapidi i Bukureshtit, për të luajtur së bashku me Albion Rrahmanin si tandem në sulm.