Zyrtare: Elvis Rexhbeçaj i bashkohet Kombëtares së Kosovës
Tashmë është zyrtare, ylli kosovar, Elvis Rexhbeçaj do të luajë për Kombëtaren e Kosovës, kjo pasi ai nënshkroi letrën konfirmuese sot.
Kjo është ndër prurjet më të mëdha në Kombëtaren e Kosovës ndër vite, duke ditur që Rexhbeçaj është një futbollist fantastik me një karrierë të jashtëzakonshme, ku paraqitet për skuadrën e Bundesligës, Augsburg.
Elvis Rexhbeçaj nënshkroi letrën konfirmuese në prani të përfaqsuesit të FFK-së në Gjermani, Fehmi Kongjelit, vëllait të tij Blendard Rexhbeçaj që është menaxher i tij, si dhe biznismenit, Afrim Osmanaj. Kjo letër u nënshkrua së bashku me presidentin e FFK-së, Agim Ademin, që u pa shumë i lumtur me ardhjen e re.

Rexhbeçaj gjithashtu ishte i lumtur për vendimin më të rëndësishëm në karrierën e tij.
"Sot i thash ‘Po’ Kosovës. Falënderoj në radhë të parë familjen time për përkrahje të vazhdueshme, falënderoj Agim Ademin si dhe Fekmi Kongjelin dhe gjithë FFK-në, që për shumë vite kanë qëndruar në kontakt me mua. Pres me padurim të bashkohem me shokët e Kombëtares dhe t’i realizojmë ëndrrat tona. Unë deri më tani kisha pengesa ligjore për shkak të pasaportës së Kosovës. Tani me ligjin e ri që erdhi për lejimin e dy pasaportave vendosa me zemër t’i bashkohem Kosovës. Forca Dardanët!"
26-vjeçari është i lindur në qytetin e Prizrenit, por që ka lëvizur në Gjermani si i vogël, prandaj kishte shtetësinë gjermane deri më tani.
Ai luan në pozitën e mesfushorit defanzivë, që Kosova ka nevojë shumë në atë repart.
Karrierën e filloi si i ri në Bradenburger, për të kaluar më pas te Wolfsburg, ku përfundoi gjeneratat zinxhirë, për t'u huazuar më pas në Koln e Bochum nga një sezon, teksa që nga viti 2022 luan për Augsburg, ku ka bërë 56 paraqitje, duke shënuar dy gola.