Zyrtare: Drita ndërpret bashkëpunimin me Ardian Nuhiun - NACIONALE

Zyrtare: Drita ndërpret bashkëpunimin me Ardian Nuhiun

1 vit më parë

nga NACIONALE

Klubi futbollistik, FC Drita ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me marrëveshje të dyanshme me trajnerin Ardian Nuhiu.

Pas disa viteve në krye, ku arriti edhe suksesin më të madh duke fituar titullin e Superligës (2019/20), Nuhiu më nuk do të jetë “timonieri” i skuadrës gjilanase.

Në një konferencë për media, Drita dhe Nuhiu njoftuan ndërprerjen e bashkëpunimit.

Ishte drejtori i klubit që tha se eliminimi i menjëhershëm nga Kupa e Kosovës, ndikoi te ndërprerja e bashkëpunimit me Nuhiun, i cili gjithashtu e pranoi këtë gjë.

"Pak a shumë arsye lidhet me ditën e djeshme pas humbjes nga Liria. Menjëherë pas ndeshjes pas konsultimit me presidentin dhe trajnerin arritëm në marrëveshje ta ndërprejmë bashkëpunimin më shumë se katërvjeçar".

"Ne e falënderojmë për të gjitha ato që të mira i ka sjellë klubit dhe me plot bindje duke i thënë nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim deri në takimin tonë të radhës".

Ndërsa, tekniku maqedonas falënderoi Dritën për këto katër vite me suksese të shumta.

"Edukata apo profesionalizmi s'ma lejon. Ajo dje që ndodhi nuk ishte që unë u prononcova, zakonisht na ftojnë, dje nuk mora një ftesë, për këtë arsye. Nuk ishte hera e parë që e humba një ndeshje, gjithmonë do të dal para mediave. Ne nuk mundemi pa ju dhe kjo është reciproke", duke shpjeguar arsyen pse nuk doli dje në media pas humbjes nga Liria.

"Dua të falënderoj familjen e madhes së Dritës për këto katër vite. Dua të falënderoj dy presidentët, drejtuesit e skuadrës që gjithmonë kemi qenë bashkë për të mirën e kësaj skuadre. Dua të falënderoj gjithashtu tifozët, mbështetja ka qenë e jashtëzakonshme që i është dhënë lojtarëve dhe mua si trajner. Dhe në fund secilin futbollistë gjatë këtij rrugëtimi, jam falënderues sepse pa këta të gjithë nuk do të kishim arritur këto suksese brenda këtyre katër viteve".

Kështu, ish futbollisti i Shkupit largohet nga Drita pas tre viteve, duke qenë në krye për 160 ndeshje, ku ka regjistruar 88 fitore, 37 barazime dhe 35 humbje.

Lajme të ngjashme