Zyrtare: Chelsea e kthen talentin italian Casadei nga Leicester
Reprezentuesi i Italisë U21, Cesare Casadei, tani edhe zyrtarisht do t'i bashkohet skuadrës së Mauricio Pochettinos te Chelsea me efekt të menjëhershëm, pasi të kaltrit ia kanë ndërprerë atij huazimin në Leicester City.
Produkti i akademisë së të rinjve të Interit iu shit Chelseat në verën e vitit 2022 për 15 milionë euro dhe u dërgua menjëherë në një sërë periudhash huazimi te Reading dhe më pas në Leicester City.
Ai bëri aq shumë përshtypje këtë sezon me tre gola dhe dy asistime në 25 ndeshje në të gjitha garat, saqë Chelsea ka vendosur ta rikthejë atë në Stamford Bridge, duke ia ndërprerë huazimin menjëherë.
Casadei mbushi 21 vjeç vetëm javën e kaluar dhe ka shtatë paraqitje për Italinë në nivelin U-21, si dhe nëntë për ekipin U-20.

Daily Telegraph pretendon se trajneri Mauricio Pochettino ishte ai që dëshiroi me çdo kusht që mesfushori kreativ të jetë pjesë e ekipit të tij nga ky muaj.
Kjo u konfirmua edhe nga eksperti i transferimeve Fabrizio Romano, kështu që Casadei po kthehet në Premierligë.
🚨🔵 Official: Chelsea recall Cesare Casadei from Leicester loan as he will be part of Pochettino’s team. pic.twitter.com/EOdsSgogzL
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 19, 2024
Ai ka kontratë me Chelsean deri në qershor të vitit 2028.
Nga ana tjetër, Leicester City ka të ngjarë të përpiqet të zëvendësojë Casadein duke nënshkruar me Stefano Sensin nga Interi.