Zyrtare: Atletico e blen Depayn nga Barcelona për 3 milionë euro - NACIONALE

Zyrtare: Atletico e blen Depayn nga Barcelona për 3 milionë euro

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Memphis Depay i është bashkuar Atletico Madridit nga Barcelona në një marrëveshje në vlerë prej tre milionë eurove, plus një milion euro bonuse.

Sulmuesi holandez nënshkroi marrëveshje deri në vitin 2025 me klubin madrilen dhe do të jetë menjëherë i gatshëm për trajnerin Diego Simeone.

“FC Barcelona dhe Club Atletico de Madrid kanë arritur marrëveshje për transferimin e Memphis Depay për një shumë prej tre milionë eurove, plus një milionë euro bonuse”, thuhet në njoftimin e Barcelonës për shitjen e holandezit.

28-vjeçari, të cilit marrëveshja me Barcelonën do t’i skadonte në qershor, do ta përforcojë Atleticon pas largimit të Cunhas dhe Joao Felixit gjatë këtij muaji.

Marrëveshja mes klubeve përfshinë edhe mundësinë që Barcelona ta blejë Yannick Carrascon nga Atletico në verë, nëse i paguan 20 milionë euro për shërbimet e tij.

“FC Barcelona dëshiron ta falënderojë Memphisin për përkushtimin dhe punën e tij dhe i uron të gjitha të mirat për të ardhmen”, shkroi klubi katalonas.

Depay iu bashkua Barçës në verën e vitit 2021, si lojtar i lirë nga Lyoni.

Gjatë kohës në Camp Nou, Depay i shënoi 14 gola, 2 asiste, në 42 paraqitje në të gjitha garat për Barcelonën.

Lajme të ngjashme