Zyrtare: Arbër Zeneli transferohet te Adana Demirspor
Futbollisti kosovar, Arbër Zeneli, ka kompletuar transferimin e tij te skuadra turke, Adana Demirspor, nga Reims, siç është njoftuar në faqen zyrtare të klubit të ri të 28-vjeçarit.
Zeneli kaloi një kohë jo të mirë në skuadrën franceze që nga transferimi i tij në vitin 2019 nga Heerneveen, ku u përball me shumë lëndime, të cilat nuk e lanë asnjëherë të kthehej në formën e tij më të mirë, me vitet e fundit që nuk konsiderohej titullar as në Kombëtaren e Kosovës.
Hoş Geldin Arbër Zeneli! 🫵🏼 🇽🇰 pic.twitter.com/YYfx3AAY9b
— Yukatel Adana Demirspor (@AdsKulubu) September 2, 2023
28-vjeçari kosovar ka nënshkruar me Adana Demirspor sot, një marrëveshje që do ta mbajë atë në Turqi të paktën deri në vitin 2026, por që ende nuk dihet shuma e transferimit që ata kanë paguar te ana franceze për shërbimet e anësorit shpërthyes.
Në pothuajse katër vite qëndrim te Reims, Zeneli u paraqit vetëm 82 herë, duke shënuar nëntë gola dhe kontribuar me 14 asiste, ndërsa padyshim forma më e mirë e treguar nga ai është në Holandë, ku shkëlqeu te Heerenveeni me 21 gola e 27 asiste në 100 paraqitje.
Te Kombëtarja e Kosovës në një kohë ishte figura kyçe e skuadrës, ku në 31 paraqitje shënoi nëntë gola, por kohët e fundit ka humbur vendin e tij dhe shumë pak është preferuar që të futet në fushë dhe ndoshta transferimi në Turqi do t’i ndihmojë ta kthejë formën, që do të ishte e mirëseardhur edhe për ‘Dardanët’.
