Zyrtare: Al Hilali e blen Ruben Nevesin për 55 milionë euro nga Wolves
Wolves e ka shitur kapitenin e vet Ruben Neves te klubi i Arabisë Saudite, Al Hilal, për një shumë rekorde të klubit 55 milionë euro.
Mesfushori 26-vjeçar nga Portugalia e kishte edhe një vit kontratë me klubin e Premierligës, por vendosi të largohet pas plot gjashtë sezoneve në Molineux.
Neves është emri më i fundit i madh i futbollit evropian që e braktis kontinentin për të luajtur në Saudi Pro League.
Përfaqësuesi i Portugalisë e kishte refuzuar Barcelonën për të shkuar në Al Hilal.
Në fillim të këtij muaji, Karim Benzema e la Real Madridin për t’iu bashkuar A Ittihadit, duke e ndjekur rrugën e ish-bashkëlojtarit Cristiano Ronaldo, që i ishte bashkuar Al Nassrit në janar.
Mesfushori N’Golo Kante u largua nga Chelsea dhe iu bashkua Al Ittihadit të Benzemas gjatë kësaj jave.
Portieri i Chelseat Edouard Mendy është shumë afër të nënshkruajë për klubin tjetër të Saudi Pro League, Al Ahli, derisa Bernardo Silva i Manchester City është caku i radhës i Al Hilalit.
Shuma që e pagoi Al Hilali për mesfushorin portugez e tejkalon shumën që Liverpooli e pagoi për ta blerë Diogo Jotan nga Wolves në vitin 2020.
🎬 من معقل "الذئـاب" إلى #كبير_آسيا 💙#الهلال pic.twitter.com/lAsh8CWCfX
— نادي الهلال السعودي (@Alhilal_FC) June 23, 2023
Kjo shifër është po ashtu më e larta që një klub i Saudi Pro League e ka paguar për ta blerë një futbollist, duke e thyer rekordin që Al Hilali e kishte vendosur kur e kishte blerë Matheus Pereira nga West Bromi prej 18 milionë eurove më 2021.
Neves, i cili i ndihmoi Wolvesit të promovohet në Premierligë në sezonin 2027/18 dhe pastaj ta forcojë qëndrimin në elitë, e përshkroi kohën e kaluar në Molineux si një rrugëtim të jashtëzakonshëm në një letër të hapur drejtuar tifozëve të klubit.
