Zvicra me tre shqiptarë kundër Kosovës
Kombëtarja e Zvicrës i ka ftuar tre futbollistë shqiptarë për përballjen me Kosovën në një ndeshje miqësore në fund të këtij muaji.
Të përhershmit Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, si dhe i riu Andi Zeqiri, janë pjesë e listës së trajnerit Murat Yakin për takimin miqësor me Kombëtaren e Kosovës.
Aufgebot / Sélection / Convocazione
— 🇨🇭 Nati (@nati_sfv_asf) March 18, 2022
🏴🆚🇨🇭
🗓26.3
🏟Wembley
🇨🇭🆚🇽🇰
🗓29.3
🏟Letzigrund
ℹ️ https://t.co/Q9XojAmLt4#natimiteuch #lanatiavecvous #lanaticonvoi pic.twitter.com/pnreqC40BJ
Kosova do të përballet me Zvicrën për herë të parë në historinë e vet më 29 mars në Zurich, në një ndeshje miqësore që është cilësuar si vëllazërore nga mediat zvicerane.
Zvicra dhe Kosova janë parë shpesh si rivalë jashtë fushës në përpjekjet e tyre për t’i bindur futbollistët me prejardhje shqiptare të luajnë për kombëtaret e tyre përkatëse dhe rasti më i freskët është pikërisht Zeqiri, i cili tani do të luajë kundër vendit që i kishte premtuar se do ta përfaqësonte.
Në Kosovë Zvicra madje është akuzuar shpesh se ka lobuar kundër pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016, gjë që është mohuar vazhdimisht nga ajo.
Sulmuesi 22-vjeçar i Brightonit në Premierligë, i cili është i huazuar në Augsburg në Bundesligë deri në fund të këtij sezoni, i kishte thënë po dhe madje ishte fotografuar me fanellën e kombëtares dardane pranë presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi.

Në vitin 2020, babai i 22-vjeçarit Avdi Zeqiri kishte thënë: “Andi ka marrë vendim dhe do të jetë pjesë e Kosovës. Ai e ka edhe një ndeshje kundër Francës me Zvicrën U21 dhe me fitore kualifikohet. Kjo i sjellë edhe dobi financiare, por aspekti financiar nuk ndikon tek Andi. Ai është shumë i vendosur dhe Kosovën e ka zgjedhur me zemër.”
Por Zeqiri kurrë nuk ka ardhur për ta veshur fanellën verdhekaltër dhe ai u zotua për besnikëri ndaj kombëtares helvetike të cilën e ka përfaqësuar edhe në nivelet e të rinjve.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë miqësore për Kosovën këtë muaj, pasi do të takohet me Burkina Fason tri ditë më parë, të enjten më 29 mars në Prishtinë.
Alain Giresse ende nuk e ka publikuar listën e Kosovës për këto ndeshje miqësore, të cilat do të jenë të parat për të në stolin dardan.
69-vjeçari u emërua trajner i Kosovës më 23 shkurt në një marrëveshje me kohëzgjatje deri në nëntor të vitit 2023, duke e zëvendësuar Bernard Challandesin e shkarkuar në fund të vitit të kaluar.