Zvicra barazon me Austrinë, Granit Xhaka lojtari më i mirë në fushë
Kombëtarja e Zvicrës ka barazuar 1:1 me Austrinë, në miqësoren e fundit të muajit qershor, në përgatitjet që po bëhet për EURO 2024, që fillon në më pak se një javë, më saktësisht më 14 qershor.
Zvicra zhvilloi fillimisht një miqësore me Estoninë, të cilën e mposhti lehtësisht, e ku me gol kontribuoi edhe Xherdan Shaqiri, ndërsa sot Helvetikët patën një test më të vështirë përpara, me Austrinë që luan gjithashtu në EURO 2024.
Nga tre shqiptarët në skuadër, vetëm Granit Xhaka startoi, që ishte kapiteni i skuadrës, ndërsa Xherdan Shaqiri luajti pak më shumë se 20 minuta, ndërsa Ardon Jashari nuk u paraqit fare.
Të dy golat e takimit u shënuan në pjesën e parë, me skuadrat që u ndanë me barazim.
Austria doli shumë herët në epërsi. Zhvillohej minuta e pestë kur Baumgartner pranoi një top nga Kainz dhe në atë kundërsulm e gjeti veten përball me portierin Yann Sommer, për të shënuar për 1:0.
Megjithatë, Zvicra reagoi shumë shpejt, pasi Silvan Widmer shënoi lehtësisht në minutën e 26-të për të barazuar në 1:1, nga një top i kthyer nga portieri.
Deri në fund nuk pati ndryshime në rezultat, me Zvicrën që për një nuancë ishte më e mirë në fushë.
Vlen të ceket se Granit Xhaka që luajti për 76 minuta, ishte lojtari më i dalluar në fushë, një lider i vërtetë, që kishte 95% saktësi nga 86 pasime sa bëri.
Kjo ishte miqësorja e fundit për të dy kombëtaret para fillimit të Kampionatit Evropian, me Zvicrën që është në grupin A, ndërsa Austria në grupin D.