Zvicër - Kosovë: Mbyllet pa gola pjesa e parë e takimit në Bazel
Kombëtarja e Kosovës dhe Zvicra janë duke barazuar 0:0 pas 45 minutave të para të zhvilluara në Saint Jakob Park në Bazel.
Ndeshja e vlefshme për kualifikimet në EURO 2024, filloi më mirë për vendasit, që kishin kontrollin në lojë, dhe arritën të krijonin disa raste të rrezikshme, fillimisht me një dalje të gabuar të Visar Bekajt, e pastaj me një goditje të Ruben Vargas.
Helvetët vazhduan me lojë më të mirë dhe një vendosje jo e mirë e mbrojtjes, bëri që Remo Freuler të rrezikonte shumë portën e mbajtur nga Visar Bekaj, por goditja e tij nga afër shkoi lartë.

Kombëtarja e Kosovës pati vetëm një rast, i cili ishte shumë i rrezikshëm. Zymer Bytyqi harkoi bukur, me Elbasan Rashanin që ishte shumë afër të shënonte me kokë, por topi kaloi fare pranë portës.
Kështu, ndryshime në rezultat nuk pati dhe pjesa e parë në Bazel mes Zvicrës dhe Kosovës përfundoi pa gola.