Zinchenko: Kur thosha se po luftonim për titull disa qeshnin, tani askush s’po qesh
Mbrojtësi i Arsenalit, Oleksandr Zinchenko, ka thënë se disa prej bashkëlojtarëve të tij kishin qeshur kur ai kishte thënë në fillim të sezonit se kjo skuadër do të mundë ta fitonte titullin në Premierligë, por se tani skuadra ka filluar të besojë se është e mundur.
Përfaqësuesi i Ukrainës Zinchenko iu bashkua Arsenalit nga Manchester City para fillimit të këtij sezoni, pasi i fitoi katër tituj të Premierligës në Etihad.
Zinchenko ka qenë vendimtar për Arsenalin në ecurinë e fitoreve me praninë e tij të qenë në krahun e mbrojtjes dhe aftësitë në sulm.
Skuadra e Mikel Artetës fitoi 3:2 kundër Manchester Unitedit të dielën, duke e krijuar një epërsi prej pesë pikëve në krye të tabelës ndaj kampionit në fuqi, City, plus një ndeshje më pak të zhvilluar.
“Të jem i sinqertë me ju, kur mbërrita në klub, i pashë cilësitë... natyrisht unë e njihja skuadrën e Arsenalit, i njihja të gjithë lojtarët më herët, por në fushë e kuptova që ne kemi gjithçka që nevojitet për të fituar gjëra të mëdha”, tha Zinchenko.
Ai shtoi: “Në zhveshtore fillova të flas: ‘Djem, harrojeni top tre apo tjerat, ne duhet të mendojmë për titull’. Disa prej tyre qeshnin por tani askush nuk po qesh dhe të gjithë ne po ëndërrojmë”.

“Ende ka shumë ndeshje për t’i luajtur dhe tani mund ta shihni Manchester Unitedi është rikthyer. City, si gjithmonë, është aty. Ta shohim çfarë do të ndodhë, por ne duhet të ecim hap pas hapi”.
Arsenali nuk e ka fituar ligën qëkur “të pamposhturit” e Arsene Wenger e fituan titullin në sezonin 2003/04.
Skuadra e Artetës tani do të përqendrohet në FA Cup, ku e pret ish-skuadra e Zinchenkos City, në rrethin e katërt të premten në Etihad.
