Zhegrova ‘zemërthyer’ zotohet se do t’i bëjë krenarë kosovarët
Edon Zhegrova mbeti me zemër të thyer nga dështimi i Kosovës për ta mposhtur Andorrën në ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian ditë më parë, por u zotua se verdhekaltrit do ta gjejë shumë shpejt rrugën e fitores.
Shpresat e Kosovës për kualifikim në Euro 2024 morën një goditje të rëndë dhe vështirë të riparueshme të martën në Prishtinë, kur Andorra – njëra prej ekipeve më të dobëta në botë – ia nxori Kosovës një barazim historik midis Fadil Vokrrit.
Zhegrova – i cili pati një paraqitje zhgënjyese në barazimin paraprak me Izraelin – ishte më i miri kundër Andorrës dhe e ndryshoi lojën kur hyri nga stoli në fillim të pjesës së parë dhe shënoi golin e epërsisë kur akrepat shënuan një orë lojë.
Në një reagim në rrjetet sociale, ylli i Lille – për të cilin ky ishte vetëm goli i dytë në ndeshje garuese për kombëtaren, shkroi: “Zemërthyer me rezultatin ndaj Andorrës. Deshëm të fitoim për juve që na përkrahët në borë e acar, por nuk ishte nata jonë”.
Berto Rosas s’i la rreth 13 mijë kosovarë të gëzoheshin aspak në një natë acari në Prishtinë, pasi shënoi me kokë nga afërsia duke e shfrytëzuar hutinë në mbrojtjen kosovare dhe daljen e gabuar të portierit Aro Muric vetëm dy minuta pasi Kosova kishte kaluar në epërsi.
Anësori 23-vjeçar është i bindur, megjithatë, se Kosova do ta gjejë rrugën e fitores në ndeshjet e ardhshme kualifikuese në qershor.
“I nderuar dhe krenar që e përfaqësoj shtetin tim dhe gjithmonë me përgjegjësi do ta vesh fanellën e Kosovës për t’ju bërë juve krenarë. Do të rikthehemi shpejt te fitorja. Faleminderit”, shtoi ai.

Për Kosovën ky ishte barazimi i dytë radhazi, pas atij me njërin prej dy rivalëve të drejtpërdrejt për vendin e dytë në Grupin I kualifikues Izraelin, që i lë ata në vendin e tretë me vetëm dy pikë.
Çfarë Kosova nuk arriti të bëjë, bëri rivalja e saj Rumania, duke u siguruar t’i mposhtë dy autsajderët e grupit, Andorrën dhe Bjellorusinë dhe ndan kreun me Zvicrën me pikë të plota pas ndeshjeve të para.
Kosova do të përballet me Rumaninë dhe Bjellorusinë në qershor, në dy ndeshje që i duhet t’i fitojë patjetër për të shpresuar në sigurimin e pjesëmarrjes historike në një garë të madhe.
