Zhegrova me plot vetëbesim: Unë ta ndryshoj ndeshjen, Kosovën e kam në zemër
Edon Zhegrova është i bindur se ka aftësi për ta ndryshuar çdo ndeshje futbolli kurdo që i jepet mundësia për t’u futur në fushë, pasi shënoi gola për Kosovën dhe për skuadrën e tij Lille në dy ndeshjet e fundit.
Zhegrova, 23 vjeç, i shënoi dy gola të shkëlqyer brenda 10 minutave për t’ia fituar klubit të vet Lille tri pikë me vuajtje kundër Loriente në një natë të paharrueshme në Stadiumin Stade Pierre Mauroy në Lille të dielën, raporton Nacionale.
Lille, që po lufton për një vend në Evropë sezonin e ardhshëm, i mbajti gjallë shpresat për ta arritur synimin falë shpërthimit të përfaqësuesit të Kosovës, i cili dëshiron ta shfrytëzojë çdo mundësi që ia jep trajneri Paulo Fonseca.
Duke folur pas ndeshjes, Zhegrova tha: “Pavarësisht se a futesh në lojë për pesë, 10 apo 20 minuta, duhet ta japësh më të mirën nga vetja çdo herë kur trajneri ta japë mundësinë. Ky është edhe stili i lojës sime, sepse unë mund ta ndryshojë lojën. Sot e bëra këtë dhe jam shumë i lumtur që ia fitova tri pikë ekipit.”
“Të jem i sinqertë nuk e kam menduar se do ta bëja këtë, por vetëm doja të jepja 100% nga vetja. Synimi im ishte t’i ndihmoja ekipit dhe të shënoja gol. Pasi e shënova golin, u nxita edhe më shumë, prandaj e shënova edhe të dytin”, nënvizoi ai, i pyetur nëse e kishte paramenduar një paraqitje të tillë.
Zhegrova ende nuk e ka fituar besimin e trajnerit dhe i ka bërë vetëm dy paraqitje si titullar deri tani këtë sezon në Ligue 1.
EDON ZHEGROVA = SUPER SUB 🇽🇰💎
— Ligue 1 English (@Ligue1_ENG) April 3, 2023
🔁 82' Subbed on (1-1)
⚽ 89' Goal (1-2)
⚽ 90+1' Goal (1-3) 🤯 pic.twitter.com/1k4V98dSqK
Por ai këmbëngul se është i durueshëm dhe dëshiron të jetë gjithmonë i gatshëm nëse i ofrohet shansi.
“Është vendim i trajnerit, unë stërvitem për të qenë i gatshëm gjithmonë. Më duhet të jem dhe kur trajneri ma jep mundësinë, unë jam gati. Nuk ka nevojë të trishtohem, sepse nëse mendon kështu, e lëndon vetëm veten. Më duhet të jem i përqendruar dhe i gatshëm”, shtoi ai.
Sulmuesi prishtinas i ka shënuar tri gola dhe i ka dhuruar pesë asiste në 17 ndeshje, prej të cilave vetëm dy si titullar, për Lille këtë sezon, të gjitha në vitin 2023.
Ai shfaqi shenja përmirësimi dhe pjekurie edhe me Kombëtaren e Kosovës gjatë ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 në fund të muajit të kaluar.
Zhegrova e ndryshoi rrjedhën e lojës së Kosovës dhe e shënoi golin e vetëm në barazimin 1:1 me Andorrën në Prishtinë.
“Natyrisht. Ekipin kombëtar e kam gjithmonë në zemër. Unë jam shumë krenar që luaj për të, madje e shënova një gol gjatë ndeshjeve të marsit. Për mua, është e rëndësishme që një lojtar të jetë në gjendje ta ndryshojë mjedisin. Është gjithmonë mirë kur je në gjendje t’i takosh përsëri familjen dhe miqtë. Më bën të ndihem i lumtur”, tha Zhegrova për Kosovën.

