Zbulohen planet e sauditëve për Chelsean
Grupi 'Saudi Media' po bën lëvizje për blerjen e Chelseat dhe tashmë ka përpiluar një plan për rikonstrukturimin e 'Stamford Bridge', dhe vazhdimit të kontratave të lojtarëve kyç si Antonio Rudiger dhe Cesar Azpilicueta.
Grupi, sipas 'Goal', nuk po merret vetëm me sigurimin e kushteve që skuadra të vazhdojë të garojë për trofetë më të rëndësishëm, 'Saudi Media' gjithashtu dëshiron vazhdimin e investimeve të mëdha në akademinë e klubit, 'Cobham', poashtu edhe në skuadrën e grave.
Njeriu që po i drejton tentativat për blerjen e gjigantit londinez është Mohamed Alkhereiji, i cili është pronari i 'Saudi Media' dhe Drejtori Ekzekutiv i kompanisë simotër 'Engineer Holdin Group', e cila u themelua nga babai i tij Abdulelah AlKhereiji.
Alkhereiji ka jetuar në Angli, ku është shkolluar dhe ka punuar për tri vite në 'Deutsche Bank'.
Ai ishte prezent në stadium në fitoren 3-1 të Chelseat kundër Arsenalit më 2017, një ndeshje në të cilën Eden Hazard dribloi disa lojtarë rivalë nga gjysma e fushës, para se të shënonte.
Ai ishte gjithashtu prezent herën e fundit kur Abramovich u pa në 'Stamford Bridge', në barazimin 1-1 me Manchester Unitedin, në nëntor.
Alkhereiji dhe fëmijët e tij janë fansa të Chelseat, dhe kjo thuhet se është arsyeja kryesore pse ai dëshiron ta blejë klubin.
Mirëpo, mbështetjen më të madhe ai e ka për klubin nga Arabia Saudite, Al Nassr, të cilit ai i ka ndërtuar një stadium të ri.
Përveç që është e përfshirë me klubin Al Nassr, 'Saudi Media' gjithashtu punon me Al Hilal, skuadër me të cilën Chelsea ishte ndeshur në Kupën e Botës për Klube, muajin e kaluar.
Pasuria e 'Saudi Media'
Ky grup është grupi më i madh medial në Lindjen e Mesme, dhe gjithashtu është i ndërlidhur me marketing, sektorin bankar dhe sportin.
Kompania fiton mbi 1 miliard në vit, shumë kjo që i jep mundësinë të shndërrohet në fuqi gjigante financiare në futbollin anglez.
Vlen të ceket, megjithatë, se oferta e 'Saudia Media' u bashkëfinancua nga një konsorcium i përbërë nga shumë biznesmenë nga Arabia Saudite.
A do të bllokohej ardhja e sauditëve në Premier League?
Chelsea ka dekurajuar palët "politikisht sensitive" që të bëjnë ofertë për klubin, por 'Saudi Media' beson se nuk është pjesë e kësaj kategorie.
Ndryshe nga Newcastle United - e cila është pronë e shtetit të Arabisë Saudite, përmes një Fondi Publik të Investimeve - Manchester City ose Paris Saint-Germain, 'Saudi Media' është një grup krejtësisht privat, pa ndonjë lidhje direkte me qeverinë.
Bilanci i të drejtave të grave në Arabinë Saudite, megjithatë, është shqetësim për grupet e të drejtave civile, por kjo kompani ka të punësuara një numër të madh të grave, derisa vendi ka bërë reforma që kanë dalë të suksesshme në përfshirjen e grave në punë, me përqindjen që është ngritur në 33.2.
Siç qëndrojnë gjërat, Premier League do të kishte pak arsye të bllokonte blerjen e Chelseat nga 'Saudi Media', kur marrim parasysh se ka pranuar blerje shumë më kontraverse në të kaluarën.
Cilat janë planet e 'Saudi Media' për Chelsean?
Ky grup është i gatshëm t'i futet punës për rikonstrukturimin e 'Stamford Bridge', i cili mund të kushtojë rreth dy miliardë euro.
Eksperiencat e mëhershme të tyre në ndërtimin e stadiumeve dhe infrastrukturës po konsiderohen si avantazh në ofertë, derisa lidhjet e tyre të marketingut dhe reklamave gjithashtu po konsiderohen si aset i rëndësishëm, në aspektin e mbulimit të kostove për një projekt kaq ambicioz si ky i stadiumit.
Veç kësaj, besohet se ata mund të nxisin sponsorë jashtëzakonisht joshës për klubin, dhe kjo është tejet e rëndësishme, sepse Chelsea ka pasur probleme vazhdimisht në arritjen e sukseseve komerciale të rivalëve tjerë nga Premier League, si Manchester United, Manchester City dhe Liverpool.