Zaniolo heziton ta pranojë ofertën e Bournemouthit
Ylli i Romas, Nicolò Zaniolo, është duke reflektuar rreth ofertës së Bournemouth. Ai ka kërkuar që të mendojë sonte para se ta japë një përgjigje deri nesër.
Milani u tërhoq nga gara për yllin e Romas dhe të Kombëtares së Italisë, Nicolò Zaniolo. Tani i vetmi klub në garë për t’i siguruar shërbimet e tij është Bournemouth.
Gazetari sportiv i mirënjohur italian, Gianluca Di Marzio, raporton se sot agjenti i lojtarit Claudio Vigorelli është takuar me drejtuesit e klubit. Akoma nuk ka një përgjigje përfundimtare, por ngjan se lojtari nuk është i bindur rreth ofertës së Bournemouthit.
Me një përgjigje përfundimtare do të njoftohet edhe vetë Roma nesër nga përfaqësuesit e sulmuesit italian. Kujtojmë se skuadra angleze që renditet në pozitën e 18-të në Premierligë ofroi 30 milionë euro, plus bonuse dhe 10% do t’i takonin Romas nëse do të shitej kartoni i tij.

Ishte pikërisht kjo ofertë e klubit anglez që detyroi Milanin të tërhiqej nga gara për shërbimet e tij, meqë klubi italian nuk ka ndër mend që të ofrojë më shumë sesa 23 milionë euro.
Zaniolos i skadon kontrata gjatë vitit të ardhshëm me skuadrën kryeqytetase italiane. Vetë ai po ngurron që t’i diskutojë kushtet e vazhdimit të kontratës, ngase është i etur që të ndryshojë ambient.
Tifozët e Romas nuk e kanë marrë aspak mirë një gjë të tillë, duke iu vërsulur atij me shumë shigjetime e kritika në rrjete sociale.
Situata duket shumë e ndërlikuar, por Mourinho gjatë fundjavës së shkuar deklaroi se beson që Zaniolo do të vijojë të jetë pjesë e skuadrës edhe më 1 shkurt, kur do të përfundojë afati kalimtar dimëror.
