Ylli rus e refuzon Kombëtaren për shkak të pushtimit të Ukrainës - NACIONALE

Ylli rus e refuzon Kombëtaren për shkak të pushtimit të Ukrainës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi i Zenitit ka familjen e tij në Ukrainë dhe nuk do që të jetë pjesë e ekipit kombëtar në këtë kohë.

Ylli i Rusisë, Artem Dzyuba, ka kërkuar që të mos ftohet në kampin stërvitor të Kombëtares për shkak të pushtimit të Ukrainës nga vendi i tij.

Kombëtarja ruse ka vendosur të mbajë një grumbullim në rast se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv(CAS) do të vendosë ta heqë sanksionin për mos zhvillimin e ndeshjeve.

Duke parë presionin e shumë shteteve anembanë botës që të merren masa edhe për kombëtaren ruse, FIFA dhe UEFA morën vendimin që t’ua ndalonin zhvillimin e ndeshjeve Rusisë, si dhe t’ia ndalojnë pjesëmarrjen në kualifikimet për Kupën e Botës që zhvillohen këtë muaj.

Trajneri i kombëtares ruse Valeriy Karpin e ka publikuar sot listën e lojtarëve që do të marrin pjesë në grumbullim, dhe vërehet mungesa e yllit të Zenitit.

Trajneri ka treguar se ka telefonuar lojtarin, dhe 33-vjeçari ka thënë nuk dëshiron të marrë pjesë për shkak që familja e tij gjendet në Ukrainë.

“Ne u takuam me Artem në fund të fazës përgatitore që ishte me Zenitin, por që asnjëherë nuk i premtova për ndonjë thirrje,” ka thënë për mediat Karpin.

“Premtimet për pjesëmarrje në kombëtare nuk merr asnjë lojtarë dhe jo vetëm Dzyuba. Ne folëm me Dzyuban të dielën në telefon, ai na tha se ka shumë dëshirë që të luajë për kombin e tij, por kërkon falje se shkaku i situatës së luftës dhe familjes së tij që gjendet në Ukrainë, nuk do të mundë të jetë pjesë e kombëtares në këtë grumbullim.”

“Ne u pajtuam me këtë fakt, dhe do të vazhdojmë ta përcjellim formën e tij në paraqitjet në Zenit.”

A është vetëm Dzyuba që do të mungojë?

Përveç yllit të Zenitit, do të mungojë edhe Vyacheslav Karavaev, i cili në bazë të fjalëve të trajnerit ka kërkuar që të mos jetë prezent sepse dëshiron që të kthehet në formë pas një lëndimi që kaloi së fundmi.

Pse është suspenduar Rusia?

Dy organizatat më të mëdha të futbollit FIFA dhe UEFA, kanë vendosur për suspendimin e kombëtares ruse dhe të gjitha ekipeve ruse që marrin pjesë në gara evropiane.

Rusia në kalendar e kishte ndeshjen me Poloninë më 24 mars, por siç qëndrojnë gjërat kjo ndeshje nuk do zhvillohet dhe si pasojë Polonia do të kalojë në fazën e playoffit, ku do ta presë njërën nga Republika Çeke apo Suedinë.

Unioni i futbollit rus ka folur për këtë situatë dhe e kanë bërë të qartë se ky vendim do të apelohet në instancat më të mëdha të drejtësisë./Përgatiti Vivianit Gërguri/

Lajme të ngjashme