Ylli në finale, eliminon Pejën pas pesë ndeshjeve gjysmëfinale
Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore në gjysmëfinalen e pestë ndaj Pejës, për t’u kualifikuar në finalen e play-offit.
Ylli fitoi me rezultat të ngushtë 84:88 (21:21, 25:24, 18:21, 20:22), në palestrën ‘Karagaqi’, ku s’kishte tifozë shkaku i dënimit të FBK-së.
Çereku i parë ishte shumë i barabartë me dy skuadrat që shënuan nga 21 pikë, ndërsa Peja e mbylli me epërsi prej një pike çerekun e dytë 25:54, apo rezultati i përgjithshëm 46:45.
Ylli pas pushimit u këndell duke e fituar çerekun e tretë me rezultat 18:21, ndërsa vazhdoi me të njëjtin ritëm edhe në çerekun vendimtar që e mbylli me rezultat 20:22, për ta siguruar kualifikimin tutje.
Skuadra nga Suhareka në finale do të përballet me Trepçën, që këtë edicion ka qenë e jashtëzakonshme në të gjitha garat, si dhe mposhti bindshëm Prishtinën me rezultat 3:0 në seri.
Më i miri te Ylli ishte sërish Alonzo Verge Jr me 25 pikë, shtatë topa të kthyer dhe shtatë asistime, ndërsa te Peja u dallua Deandre Davis me 16 pikë, pesë topa të kthyer e një asistim.