Ylli i Suedisë dhe ish-lojtari i Arsenalit diagnostikohet me trombozë cerebrale
Mesfushori suedez dhe ish-lojtari i Arsenalit, Kristoffer Olsson, është mësuar se vuan nga mpiksje të shumta të gjakut në të dy anët e trurit që njihet si trombozë cerebrale, dhe kjo ka ardhur si pasojë e gjendjes inflamatore shumë të rrallë në enët e trurit të tij, siç njoftoi klubi aktuaj i tij, Midtjylland.
Olsson, 28 vjeç, ka qenë në spital dhe u vendos në një respirator pasi ra pa ndjenja në shtëpi muajin e kaluar. Ai u shtrua në Spitalin Universitar Aarhus, ku i ishte nënshtruar disa skanimeve dhe testeve në javët e fundit, tha klubi.
“Diagnoza përputhet me tezën mbi të cilën mjekët specialistë kanë punuar dhe trajtuar deri më tani Kristofferin”, thuhet në një deklaratë të klubit danez.
“Gjendja e Kristofer Olsson tani konsiderohet e qëndrueshme dhe mjekët vazhdojnë të shohin njëfarë progresi. Në të njëjtën kohë ata mendojnë se niveli i ndërgjegjes së Kristoffer është në rritje. Në periudhën e ardhshme, mjekët do të përpiqen ngadalë ta nxjerrin nga respiratori mesfushorin suedez. Por ai mbetet në terapi intensive dhe ende nuk është e mundur të thuhet asgjë për periudhën kohore të trajtimit dhe prognozën përfundimtare."
Status på Kristoffer Olsson, der nu har fået stillet en definitiv diagnose.
— FC Midtjylland (@fcmidtjylland) March 7, 2024
Klubi tha muajin e kaluar se gjendja e Olsson nuk ishte e lidhur me vetëlëndim apo faktorë të jashtëm.
Olsson, i cili ka 47 paraqitje për Suedinë, e filloi karrierën e tij në Arsenal dhe gjithashtu ka luajtur për skuadrën suedeze AIK dhe Anderlecht të Belgjikës.