Ylli i Man Unitedit e ofron veten te Barcelona
Mesfushori i Manchester Unitedit Donny van de Beek e ka ofruar veten te Barcelona.
Katalunasit janë duke shikuar për të nënshkruar me mesfushor, qoftë në formë huazimi shkaku i lëndimit afatgjatë të Gavit.
Sipas mediumit katalunas “Sport”, Van de Beek që s’është në planet e Unitedit e ka ofruar veten te klubi spanjoll.
Holandezi ka parë “ferrin” që kur iu bashkua Man Unitedit, pasi ka bërë vetëm një paraqitje në Premierligë këtë sezon, atë duke hyrë si zëvendësues në humbjen ndaj Crystal Palace.
Tani ai ndihet se duhet të largohet për ta shpëtuar karrierën dhe ndoshta siguruar një ftesë te Holanda për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Interesimi i Barcelonës për holandezin është i qartë dhe do ta konsiderojnë mundësinë për ta huazuar, nëse përshtaten perspektivat financiare.
Nëse Barcelona vendos të bëjë ndonjë lëvizje për Van de Beek, atëherë duhet të garojnë me Juventusin që po shpresojnë ta huazojnë për gjashtë muaj me opsion blerje.
Muajin e kaluar, Van de Beek e ka bërë të qartë se do të tentojë të largohet: “Duhet të luaj rregullisht, nëse jo te Man Utd atëherë te një klub tjetër”.
“Është ambicie e shëndetshme. Bëj një jetë të mirë te Man Unitedi, por paratë asnjëherë s’kanë qenë motivimi im”.