Ylli i Liverpoolit rinovon edhe për katër vite
Mbrojtësi Kostas Tsimikas është gati të rinovojë kontratën edhe për katër vite, që do ta mbajë në “Anfield” deri më 2027.
Grekut i skadon kontrata momentale më 2025, por “Athletic” raporton se trajneri Jurgen Klopp ka kërkuar t’i rinovohet meqenëse e vlerëson si një pjesë e rëndësishme e skuadrës pavarësisht që s’është titullar.
Tsimikas arriti te Liverpool në vitin 2020 nga Olympiacos dhe deri më tani ka bërë 62 paraqitje për klubin anglez, edhe pse vetëm 35 prej tyre kanë ndodhur në Premierligë.
Andy Robertson mbetet shumë larg si zgjedhje e parë në krahun e majtë, mirëpo që greku e ka dëshmuar vetën në ato pak shanse që ka pasur.
Këtë edicion, ai ka luajtur vetëm katër minuta si inkuadrues i vonshëm në fitoren 3:1 ndaj Bournemouth.
Pavarësisht kësaj situate, lojtari thuhet se është i kënaqur dhe ka pranuar me kënaqësi ta rinovojë kontratën gjë që ka ndikuar që negociatat të kryhen shpejtë.
Gjatë kohës te Liverpool, Tsimikas ka regjistruar 12 asistime dhe ishte pjesë e skuadrës që për pak sa nuk i fitoi katër trofe, duke e humbur titullin kampion ndaj Man Cityt si dhe Ligën e Kampionëve nga Real Madrid.