Ylli i Dortmundit e bën dallimin, Kosova U21 pëson humbje nga Gjermania - NACIONALE

Ylli i Dortmundit e bën dallimin, Kosova U21 pëson humbje nga Gjermania

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar humbjen e dytë radhazi në kualifikueset për Kampionat Evropian, duke u mposhtur nga Gjermania U21.

“Dardanët” u mbrojtën mirë deri vonë, por që në fund u mposhtën me rezultat 0:3.

Gjermanët ishin më të mirë ashtu siç pritej duke krijuar aksione të shpejta, mirëpo që assesi s’mundeshin ta thyenin mbrojtjen dardane.

Sidoftë, zhvillohej minuta e 74-të kur sulmuesi i Dortmundit Youssoufa Moukoko, pranoi një top pas një harkimi nga këndi dhe me një goditje vollej e mposhti Besson për të kaluar Gjermaninë në epërsi.

I njëjti arriti të shënojë sërish katër minuta më vonë, këtë herë pas një pakujdesie në mbrojtje ku realizoi nga afërsia (78’).

Fitoren e gjermanëve e vulosi qendërmbrojtësi Kleine-Bekel pas një asistimi të Grudas (89’).

Pas kësaj humbje Kosova U21 renditet në pozitën e katërt në tabelë me tre pikë, aq sa ka edhe Gjermania por me dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Kujtojmë, “Dardanët” i nisën për mrekulli kualifikueset mirëpo që këtë muaj u mposhten edhe nga Polonia, si dhe nga Gjermania.

Lajme të ngjashme