Ylli e fiton edhe përballjen e dytë ndaj Bashkimit, kualifikohet në gjysmëfinale
Golden Eagle Ylli ka fituar edhe takimin e dytë çerekfinal ndaj Bashkimit, kështu për t'u mësuar skuadra e tretë që arrin në gjysmëfinale të Superligës së Kosovës në Basketboll.
Skuadra nga Suhareka fitoi në Prizren me rezultat 86:75, pasi kishte avantazhin 1:0 nga ndeshja e parë e fituar disa ditë më parë.
Mysafirët e filluan shumë mirë takimin dhe në 10 minutat e parë u shkëputen me gjashtë pikë epërsi apo 20:14.
Por Bashkimi u kthye në lojë, duke fituar çerekun e dytë 23:17, kështu për të shkuar në pushim me rezultat të barabartë 37:37.
Pjesa e dytë i takoi krejtësisht skuadrës së Yllit. Fillimisht e fituan çerekun e tretë me rezultat 28:22, për të shkuar në 10 minutat vendimtar me gjashtë pikë epërsi.
Skuadra e Mijovic tregoi paraqitje fantastike edhe në periodën e fundit, duke fituar në fund ndeshjen me 11 pikë epërsi apo 86:75.
Si gjithnjë më i dalluari ishte Verge Jr, që shënoi 31 pikë, i ndihmuar edhe nga Grimes me 21 pikë dhe Nesbitt me 13 pikë.
Te Bashkimi Copes shënoi 20, Lejson Zeqiri 14 dhe Morina 13, që ishin të pamjaftueshme për të siguruar edhe ndeshjen e tretë.
Me serinë e fituar 2:0 nga Ylli, ata shkojnë në gjysmëfinale, aty ku do të takohet me kampionin në fuqi Pejën, me këta të fundit që përfunduan në vendin e dytë gjatë sezonit të rregullt.