Xhiroja e fundit në Superligën e Kosovës, Gjilani e Feronikeli e kërkojnë 'shpëtimin' sot
Xhiroja e fundit në Superligën e Kosovës në futboll zhvillohet sot (e shtunë), aty ku rëndësi ka vetëm pozita e shtatë në tabelë, se cila skuadër do të arrijë ta rrëmbejë vendin që nuk e dërgon në play-off, e në garë janë Gjilani e Feronikeli.
Për shkak se kampioni i Kosovës u vendos në javën e fundit, e ku Ballkani e fitoi titullin për herë të tretë radhazi, garë tjetër interesante nuk ka në elitën e futbollit kosovar.
Në anën tjetër Llapi që ka vendin e dytë, ka një ndeshje të lehtë pranë vetes kundër Lirisë dhe nuk besohet se do të gabojë, pasi në këtë rast Drita me një fitore do t'ia rrëmbente vendin e dytë dhe kualifikimet për Ligë të Evropës.
Xhiroja e fundit
Meqenëse është java e fundit, të gjitha ndeshje zhvillohen në ditë e orar të njëjtë, ashtu si katër xhirot e kaluara.
Përballjet janë këto si në vijim:
Drita - Malisheva;
Dukagjini - Gjilani;
Ballkani - Prishtina;
Fushë Kosova - Feronikeli;
Liria - Llapi.
Lufta mes Gjilanit e Feronikelit
E tërë lufta në Superligën e Kosovës është për vendin e shtatë.
Gjilani ka atë pozitë momentalisht me një pikë më shumë se Feronikeli i vendit të tetë, vend ky që dërgon në play-off.
Gjilani ka ndeshje më të vështirë pasi takohet me Dukagjinin, ndërsa Feronikeli luan ndaj Pampurave tashmë të rënë nga liga.
Kujtojmë se vendi i tetë në Superligë do të luajë në play-off me fituesin nga play-offi i Ligës së Parë, për një vend në Superligën e Kosovës.