Xhakën e tallin që mbërriti i fundit në grumbullim me Zvicrën, anipse ishte me Lamborghini - NACIONALE

Xhakën e tallin që mbërriti i fundit në grumbullim me Zvicrën, anipse ishte me Lamborghini

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Granit Xhaka është tallur nga bashkëlojtari i vet te Zvicra, Breel Embolo, i cili e thumboi mesfushorin e Arsenalit që kishte mbërritur i fundit dhe me vonesë në grumbullimin e ekipit kombëtar helvetik të hënën.

Zvicra u grumbullua të hënën paradite, me trajnerin Murat Yakin që mbërriti i pari rreth orës 11:00, ndërsa Xhaka i fundit rreth orës 13:00.

Mesfushori nga Kosova mbërriti i shoqëruar nga vëllai Taulanti dhe babai Ragipi, në një Lamborghini Urus – megjithëse goxha me vonesë.

Kjo (vonesë) do të të kushtojë diçka”, i tha Embolo Xhakës me shaka.

Xhaka ia ktheu:“Hiç më larg se ti nuk jam”.

Zvicra është në një grup me Kosovën, por nuk do të përballet me dardanët në mars, raporton Nacionale.

Zvicra e hap fushatën kualifikuese kundër Bjellorusisë më 25 mars në Novi Sad të Serbisë, për shkak se UEFA ia ndaloi shtetit fqinj të Rusisë t’i luajë ndeshjet si vendas në vendin e vet për shkak të luftës në Ukrainë.

Tri ditë më vonë, favoriti i Grupit I kualifikues e pret Izraelin, rivalin e drejtpërdrejt të Kosovës për vendin e dytë.

Kombëtarja helvetike i thirri tre shqiptarë të Kosovës në ekipin e vet kombëtar për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 kundër Bjellorusisë dhe Izraelit.

Por tani dy prej tyre do të mungojnë, pasi Zvicra njoftoi të hënën se as Xherdan Shaqiri e as Andi Zeqiri nuk mund të luajnë shkaku i lëndimeve.

Derisa ylli i Chicago Fire Shaqiri pëson lëndim muskulor, për Zeqirin Zvicra nuk tregoi se për çfarë lëndimi bëhet fjalë.

Yakin e kishte thirrur befasisht këtë herë edhe Andi Zeqirin, për të cilin nuk kishte vend në ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe në Kupën e Botës vitin e kaluar.

Zeqiri, qëkur zgjodhi helvetikët duke ia shkelur zotimin që ia kishte thënë Kosovës, ka luajtur vetëm në katër ndeshje zyrtare në kombëtare helvetike.

Ai po luan tani për Baselin në Superligën zvicerane në huazim nga klubi i Premierligës Brighton.

23-vjeçari i ka bërë 14 gola në 34 paraqitje në të gjitha garat për klubin zviceran.

Ardon Jashari, një tjetër lojtar premtues që mund të vinte te Kosova dhe përfundoi te Zvicra, nuk u ftua nga Yakin për këto dy ndeshje.

Lajme të ngjashme