Andi Zeqiri i pafat, largohet nga grumbullimi me Zvicrën shkaku i lëndimit - NACIONALE

Andi Zeqiri i pafat, largohet nga grumbullimi me Zvicrën shkaku i lëndimit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Andi Zeqiri do të mungojë për Zvicrën në dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 këtë muaj, për shkak të një lëndimi.

Kombëtarja helvetike i thirri tre shqiptarë të Kosovës në ekipin e vet kombëtar për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 kundër Bjellorusisë dhe Izraelit.

Zvicra është në një grup me Kosovën, por nuk do të përballet me dardanët në mars, raporton Nacionale.

Por tani dy prej tyre do të mungojnë, pasi Zvicra njoftoi të hënën se as Shaqiri e as Zeqiri nuk mund të luajnë shkaku i lëndimeve.

Derisa ylli i Chicago Fire Shaqiri pëson lëndim muskulor, për Zeqirin Zvicra nuk tregoi se për çfarë lëndimi bëhet fjalë.

“Përditësim: Cedric Itten, Michael Lang dhe Christian Fassnacht janë thirrur në kampin stërvitor në vend të të lënduarve Jordan Lotomba, Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri”, njoftoi kombëtarja helvetike në Twitter të hënën.

Zvicra e hap fushatën kualifikuese kundër Bjellorusisë më 25 mars në Novi Sad të Serbisë, për shkak se UEFA ia ndaloi shtetit fqinj të Rusisë t’i luajë ndeshjet si vendas në vendin e vet për shkak të luftës në Ukrainë.

Tri ditë më vonë, favoriti i Grupit I kualifikues e pret Izraelin, rivalin e drejtpërdrejt të Kosovës për vendin e dytë.

Kosova dhe Zvicra nuk përballen deri në dy xhirot e fundit të fazës grupore, pra në shtator dhe nëntor.

Yakin e kishte thirrur befasisht këtë herë edhe Andi Zeqirin, për të cilin nuk kishte vend në ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe në Kupën e Botës vitin e kaluar.

Zeqiri, qëkur zgjodhi helvetikët duke ia shkelur zotimin që ia kishte thënë Kosovës, ka luajtur vetëm në katër ndeshje zyrtare në kombëtare helvetike.

Ai po luan tani për Baselin në Superligën zvicerane në huazim nga klubi i Premierligës Brighton.

23-vjeçari i ka bërë 14 gola në 34 paraqitje në të gjitha garat për klubin zviceran.

Ardon Jashari, një tjetër lojtar premtues që mund të vinte te Kosova dhe përfundoi te Zvicra, nuk u ftua nga Yakin për këto dy ndeshje.

Lajme të ngjashme