Xhaka tregon sekretin e shënimit të golave: Jam i lindur sulmues
Mesfushori me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka, që po kalon në një formë të jashtëzakonshme në Arsenal, ka treguar sekretin që ka çuar në shpërthimin e tij në gola të realizuar, duke thënë se është i lindur si sulmues.
30-vjeçari tani duke se është bërë rehat te topçinjtë, pasi pati periudha me përplot trazira me tifozët e skuadrës nga Londra.

Reprezentuesi i Zvicrës ka gjetur golin në katër raste gjatë sezonit 2022/23 që tregon për formën shumë të mirë të tij, duke shënuar gola më shumë se në tre sezonet e kaluara të kombinuara së bashku, teksa thotë se gjithmonë ka pasur një sy për të shënuar gol.

Xhaka, i cili ka shijuar një përmbysje të jashtëzakonshme në fat në Emirates Stadium, ka thënë për Evening Standard: “Jam i lindur si një sulmues. Jo vërtet! Deri në moshën 12 ose 13 vjeç luaja si sulmues dhe më pas më futën në mesfushë. Tani ju e dini këtë, kështu që le të shohim se sa njerëz do të flasin për këtë!”
Shpërthimi i Xhakës i është atribuuar më së shumti trajneri spanjoll Mikel Arteta, i cili bëri që forma e mesfushorit shqiptar të pësoj ndryshim drastik dhe ka lejuar Arsenalin të marrë 11 fitore dhe 34 pikë nga 13 ndeshje në Premierligë këtë sezon.

Duke qenë në krye të tabelës, Xhaka shtoi: “Nuk jam i befasuar, sepse në parasezon kisha një ndjenjë të mirë se si funksiononte gjithçka. Fryma e ekipit që ndërtuam atëherë ishte diçka që nuk e kisha në këtë klub deri më tani. E dija që ky sezon mund të ishte i veçantë për të gjithë, për veten tonë, për klubin.”
Topçinjtë kanë një ndeshje tjetër për të luajtur përpara se të shkojnë në pushimin e Kupës së Botës, me një udhëtim te Wolves që do të bëhet të shtunën, dhe synojnë që ta mbajnë kreun e tabelës të paktën deri në rifillim të sezonit në fund të muajit dhjetor.

