Xavi: Messi është lojtari më i mirë në histori, e ka gjithmonë derën e hapur te Barcelona - NACIONALE

Xavi: Messi është lojtari më i mirë në histori, e ka gjithmonë derën e hapur te Barcelona

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez është i hapur për një rikthim të mundshëm të ish yllit të skuadrës, Lionel Messi.

Argjentinasi kaloi te PSG si agjent i lirë në verën që lamë pas, pasi i skadoi kontrata me Barcelonën.

Në fakt, Messi dëshironte të qëndronte, mirëpo ishte e pamundur nga Barcelona që ta regjistronte në La Liga, shkaku i gjendjes jo të mirë financiare.

Sidoqoftë, kalimi në Francë, nuk shkoi siç ishte planifikuar, me argjentinasin që tashmë kritikohet e fishkëllehet nga tifozët “Parisienë”.

Viti 2022 nisi shumë mirë për Messin, që bënte asistime të njëpasnjëshme me PSG-në dhe që ishin kyçe për skuadrën franceze që të arkëtonte pikët e plota në Ligue 1.

Por, ndeshja e kthimit ndaj Real Madridit ndryshoi çdo gjë. Yjet e PSG-së u eliminuan nga “Los Blancos” në “Santiago Bernabeu” pas një het-triku të shkëlqyer nga Karim Benzema, për raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve.

Menjëherë pas elliminimit qysh në ndeshjen e radhës, tifozët e PSG-së ishin të ashpër me Messin dhe bashkëlojtarin Neymar, duke i fishkëllyer sa herë që preknin topin kundër Bordeaux. Për brazilianin nuk ishte i mjaftueshëm as goli që shënoi për t’i ndalur këto fishkëllima.

Në ditët e fundit, ka spekulime që agjenti i Messit, Jorge, ka kontaktuar presidentin e Barcelonës, Joan Laporta që të diskutojë një rikthim të mundshëm për verën e vitit 2022.

I pyetur për këtë mundësi që Messi të rikthehet në “Camp Nou”, Xavi para ndeshjes së rëndësishme ndaj Real Madridit, theksoi se dera e Barcelonës do jetë gjithmonë e hapur për ‘lojtarin më të mirë në histori’.

“Leo Messi është lojtari më i mirë në histori dhe dera për rikthimin te Barcelona do jetë gjithmonë e hapur për të”, tha fillimisht ai.

Tutje, Xavi deklaroi se nuk dëshiron të flasë rreth këtyre spekulimeve shkaku që Messi ka kontratë me PSG-në.

“Ai meriton nder të madh dhe nuk mund të flas më shumë sepse ai ka kontratë me PSG-në”, shtoi tekniku spanjoll.

Kontrata e Messit me PSG-në skadon në vitin 2023, por ekziston opsioni i rinovimit edhe për një tjetër vit, që mund të aktivizohet nëse dy palët dakordohen mes vete.

Ndërkohë, kujtojmë se shtatë herë fituesi i Topit të Artë do mungojë në ndeshjen e radhës ndaj Monacos, shkaku i lëndimit të fundit që pësoi.

Lajme të ngjashme