Xavi: Kampionati arab është shumë i ndërlikuar, nuk do të jetë aspak e lehtë për Ronaldon - NACIONALE

Xavi: Kampionati arab është shumë i ndërlikuar, nuk do të jetë aspak e lehtë për Ronaldon

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Xavi Hernandez ka komentuar transferimin e shumëpërfolur të Cristiano Ronaldos në drejtim të A-Nassr. Sipas tij bëhet fjalë për një kampionat tejet të vështirë. Madje, ai e quajti këtë edhe si sfidë për Ronaldon.

Në prag të gjysmëfinales së Superkupës spanjolle kundër Betisit që do të luhet nesër mbrëma në Arabinë Saudite, trajneri i Barcelonës është pyetur edhe rreth një tjetër teme që është shumë aktuale në këtë vend: transferimi i Ronaldos në Al-Nassr.

Duke qenë se vetë Xavi ka luajtur për katër vjet në kampionatin arab, e më pas ka qenë për dy vjet tjera trajner i të njëjtës skuadër, gjegjësisht Al-Sadd – kjo do të thotë që e njeh mjaft mirë futbollin në këtë vend.

Trajneri katalonas e sheh si sfidë në vete kalimin e Ronaldos në Al-Nassr, duke e konsideruar si një kampionat shumë të ndërlikuar.

“Ai ka nënshkruar për njërin prej klubeve më të mira në Arabinë Saudite, por mbetet një sfidë për të. Ky kampionat është shumë i ndërlikuar. Kam pasur përballë shumë skuadra gjatë kohës kur kam stërvitur Al-Sadd. Do të jetë një sfidë për të”, tha ai.

Trajneri i Barcelonës është i bindur se edhe vetë Ronaldo do të bindet për cilësitë që posedon kampionati në fjalë, ku ka vendosur që ta vazhdojë karrierën.

“Cristiano do ta shohë se bëhet fjalë për një kampionat shumë garues. Ka tetë lojtarë të huaj për çdo skuadër. Pra, është kampionat garues”, theksoi ai.

Megjithatë, ai nuk ka mëdyshje se ylli portugez do të vazhdojë ta bëjë dallimin, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën kur ka luajtur në kontinentin evropian.

“Jam i sigurt që edhe këtu do ta bëjë dallimin, edhe pse nuk do të jetë e thjeshtë për të që të luajë këtu”, tha Xavi në prani të gazetarëve.

Kujtojmë se Ronaldo u transferua me parametra zero në Al-Nassr, pasi më parë kishte shkëputur kontratën me Manchester Unitedin. Përfaqësuesi portugez 37-vjeçar nënshkroi kontratë dyvjeçare me klubin arab.

Lajme të ngjashme