Xavi Hernandez: Objektivi është kualifikimi si lider i grupit në Ligën e Kampionëve
Trajneri i Barcelonës Xavi Hernandez thotë se objektivi i klubit katalunas është i qartë pasi duan të kualifikohen në fazën e eliminimit direkt.
Kampioni i Spanjës që dy vite radhazi dështon ta kalojë fazën grupore, kurse këtë sezon shihet si favorit meqenëse i ka rënë një short mjaftë i favorshëm.
Në konferencë për shtyp, Xavi deklaroi se Barcelona duhet të bëjë një hap para në Ligën e Kampionëve, kompeticion të cilin s’e kanë fituar që nga viti 2015.
“Duhet të përmirësohemi dhe të garojmë më mirë. Objektivi është që të arrijmë në raundin e 16-të dhe të luajmë mirë. Të shtunën ishte testi se duke luajtur në atë mënyrë mund të garojmë. Duam raundin e 16-të por fillimisht duhet t’i kalojmë grupet”.
“Duhet ta fitojmë respektin. Vitin e kaluar fituam La Liga-n dhe tani duhet të bëjmë një hap para në këtë kompeticion që s’e kemi fituar që nga viti 2015. Së paku duhet të garojmë”.
Ndër të tjera, ai fajësoi shortin për vitin e kaluar dhe shtoi se e kanë analizuar kampionin e Belgjikës.
“Vitin e kaluar kishim një fatkeqësi në grup. Ishte Bayern Munich dhe Inter, të cilët arritën deri në finale. Këtë vit duhet ta dëshmojmë. Duhet më rehatshëm por nesër përballemi me kampionin e Belgjikës. Është e rëndësishme”.
“Ne e analizuam Antwerpin. Është e rëndësishme që është kompeticioni më i lartë në futbollin evropian dhe lojtarët janë shumë të motivuar. Nuk duhet ta humbasim personalitetin tonë”.
Barcelona me fillim nga ora 21:00 do të përballet me Antwerpin në “Camp Nou”.