WIMBLEDON, Dita I: Djokovic me fitore të lehtë fillon mbrojtjen e titullit, Kyrgios tërhiqet për shkak të lëndimit
Turneu më i madh dhe më i vjetër i tenisit, Wimbledon, ka filluar sot. Novak Djokovic si kampion në fuqi zhvilloi ndeshjen e parë në ditën e nisjes së turneut, duke shënuar fitore të lehtë 3:0 ndaj Pedro Cachin, në anën tjetër finalisti i vitit të kaluar Nick Kyrgios njoftoi tërheqjen e tij dje nga gara për shkak të lëndimit.
Në ditën e parë të turneut u zhvilluan vetëm gjysma e ndeshje të raundit të parë (1/64), ku emra të mëdhenj u paraqitën dhe nuk munguan befasitë, si çdo herë në Wimbledon.
Favoriti kryesor i kësaj gare, katër herë mbrojtësi i titullit, serbi Djokovic nuk la hapësirë për befasi, pasi lehtësisht e mposhti argjentinasin Cachin 3:0 në sete apo 6:3, 6:3 dhe 7:6(7-4).

Tani 36-vjeçari do ta synojë Grand Slamin e 24-të në karrierë, duke barazuar Margaret Court, ndërsa synon titullin e tetë në Wimbledon për të barazuar legjendën Roger Federer, ku edhe mund të bëhet vetëm tenisti i tretë që arrin pesë tituj rresht në këtë garë, që më parë e kishte bërë Bjorn Borg dhe Federer.
Amerikani Brandon Nakashima pësoi humbje nga Thompson edhe pse konsiderohej favorit në letër, teksa befasi tjetër e madhe ishte humbja e Auger-Aliassime 3:1 në sete nga numri 119 i botës Michael Mmoh.

Sinner, Wawrinka, Ruud, Hurkacz e Rublev shënuan fitore gjithashtu si favorit në ditën e parë të turneut.
Nick Kyrgios, një emër i madh i cili përveç aftësive në fushën e tenisit dhuron dhe kënaqësi për tifozët me sjelljet e tij, u tërhoq nga gara për shkak të një lëndimi në kyçin e dorës. Ai ishte finalist në vitin e kaluar të kësaj gare dhe po cilësohej si një nga emrat që mund të arrinte përsëri deri në fazat e fundit të turneut.

Nesër me fillim nga ora 12:00 fillon dita e dytë, ku do të ketë përballje të forta, ndër to edhe dueli Thiem – Tsitsipas, teksa numri një i botës Carlos Alcaraz fillon gjithashtu rrugëtimin nesër ndaj francezit Jeremy Chardy, ndeshje e paraparë të fillojë në orën 14:00.
