William Saliba, objektivi kryesor i Real Madridit për verën
Real Madrid e ka bërë William Salibën objektivin e tyre kryesor për repartin e mbrojtjes në afatin e ardhshëm të transferimeve verore, thuhet në një raport nga Franca.
Lëndimet e mbrojtësve qendrorë kanë qenë një problem i madh për Real Madridin në sezonet e fundit. Eder Militao ka pësuar dëmtimin e tij të dytë të ligamentit të kryqëzuar në po aq sezone, ndërsa rikthimi i David Alabës në fushë pas një mungese njëvjeçare për shkak të një problemi në gju, e shtyu trajnerin Carlo Ancelotti të deklaronte se skuadra e tij po përballej me një "emergjencë".
Me largimin e afërt të Jesus Vallejos këtë verë, që do t’i lërë me vetëm tre qendërmbrojtës të nivelit të lartë, Real Madridi pritet të përforcojë prapavijën. Sipas RMC Sport, drejtuesit e klubit i kanë vënë syrin Salibës.
I përshkruar si "prioriteti absolut në mbrojtje", Saliba ka qenë më parë i lidhur me Madridin dhe Paris Saint-Germain, por Arsenali nuk ka marrë kurrë në konsideratë shitjen e tij dhe pritet të mbetet i palëkundur edhe këtë herë.
Topçinjtë pritet të paralajmërojnë Real Madridin se do të nevojitet një ofertë astronomike për të marrë në shqyrtim largimin e Salibës. Largimi i tij nga "Emirates Stadium" mund të ndodhë vetëm nëse Madridi është i gatshëm ta bëjë atë mbrojtësin më të shtrenjtë në histori.
Rekordi aktual për një mbrojtës është transferimi i Harry Maguire te Manchester United për 80 milionë funte në vitin 2019. Kontrata e Salibës me Arsenalin zgjat deri në vitin 2027, dhe nëse ai largohet këtë verë, tarifa e tij pritet të jetë edhe më e lartë.
Mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rudiger, e ka cilësuar Salibën si një nga mbrojtësit më të mirë në botë, duke pranuar se do të dëshironte të luante përkrah tij në të ardhmen.